Dy persona, njëri prej tyre rëndë u lënduan si pasojë e një shpërthimi brenda një veture në Gjilan.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të 40 vjeçari detaje për Klankosova ka dhënë shefi i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka.
Uka tha se gjendja e përgjithshme vazhdon të jetë e rëndë.
“Pacienti, të cilit i referoheni, është sjellë mbrëmë në Qendrën Emergjente nga Spitali Rajonal i Gjilanit, pas lëndimeve të marra nga një mjet eksploziv. Në Qendrën Emergjente janë kryer ekzaminimet radiologjike dhe laboratorike. Pacienti është pranuar në gjendje të rëndë, me shok hemorragjik, ndaj i është nënshtruar menjëherë një intervenimi urgjent kirurgjik”, tha Uka. “Pas përfundimit të ndërhyrjes kirurgjikale, pacienti është transferuar për trajtim të mëtejmë në Njësinë e Mjekimit Intensiv. Lëndimet kryesore janë të lokalizuara në ekstremitetet e poshtme. Aktualisht, pacienti mbahet i sedatuar dhe i lidhur me aparaturë mbështetëse mjekësore”, shtoi ai.
E për rastin në fjalë, ka folur edhe drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.
“Një pacient i lënduar është sjellë nga Spitali Rajonal i Gjilanit në gjendje të rëndë. Pas ekzaminimeve të kryera në Qendrën Emergjente, pacienti është dërguar në sallën e operacionit për ndërhyrje urgjente kirurgjikale. Pas përfundimit të ndërhyrjes, ai është transferuar në Mjekimin Intensiv Qendror (MIQ) për trajtim të mëtejmë. Gjendja e pacientit vazhdon të jetë e rëndë”, ka deklaruar Syla.













