Meta është gjobitur me 567 milionë dollarë për dështimin në paralajmërimin e publikut mbi rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët.
Ky është vendimi më i madh ndaj Metës për çështjet e sigurisë së të miturve, hjykatësi Bryan Biedscheid e cilësoi kompaninë si një “shqetësim publik”, duke thënë se platformat e saj kanë shkaktuar dëme psikologjike dhe kanë ekspozuar fëmijët ndaj rreziqeve, përfshirë shfrytëzimin seksual, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Me këtë vendim, shuma totale që Meta duhet të paguajë në këtë rast arrin në 942 milionë dollarë, pasi më herët ishte dënuar edhe me 375 milionë dollarë të tjera.
Fondet do të përdoren për masa që synojnë reduktimin e dëmeve të shkaktuara nga platformat e kompanisë.
Rasti nisi në vitin 2023, kur autoritetet e New Mexicos paditën Metën, duke pretenduar se algoritmet e Instagramit dhe Facebook-ut drejtonin përdoruesit e rinj drejt përmbajtjeve të dëmshme.
Gjykata urdhëroi gjithashtu masa të reja për mbrojtjen e të miturve, përfshirë kufizimin e kontakteve mes të rriturve dhe fëmijëve, ndalimin e përmbajtjeve intime për përdoruesit nën 18 vjeç, si dhe kufizime në përdorimin e platformave.
Meta, e cila zotëron Instagram, Facebook, WhatsApp dhe Threads, ka kundërshtuar vendimin dhe ka bërë të ditur se do ta apelojë atë.
Kompania aktualisht po përballet me mijëra padi të ngjashme në SHBA, ndërsa procese të tjera gjyqësore pritet të zhvillohen edhe në shtete të tjera.













