Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka deklaruar se Albulena Haxhiu mund të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e ushtrueses së Presidentes edhe pas marrjes së mandatit të deputetes, pasi, sipas tij, seanca konstituive e Kuvendit nuk është përmbyllur ende.
Cakolli për Ekonomia Online ka thënë se mandati i deputetit merret që në momentin e certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por ka theksuar se Rregullorja e Punës së Kuvendit përcakton vazhdimin e funksioneve të kryetarit dhe nënkryetarëve të legjislaturës paraprake deri në përmbylljen e seancës konstituive.
“Në raport me mandatin e deputetit, së pari duhet bërë e qartë që deputetët mandatin e marrin që nga momenti i certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pra çështja e betimit nuk e përmbyll marrjen e mandatit si të tillë. Deputetët bëhen deputetë në momentin kur KQZ-ja i certifikon rezultatet e zgjedhjeve. Dhe në këtë drejtim zonja Haxhiu e ka marrë mandatin si deputete që në muajin e kaluar kur KQZ-ja i ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve. Në këtë drejtim, rregullorja e punës së Kuvendit përmban një dispozitë, dhe nuk duhet harruar që rregullorja është një prej akteve me shumicën më të cilësuar që votohet në Kuvend përveç ndryshimeve kushtetuese, pra me 80 vota, edhe si e tillë ka peshën kushtetuese. Dhe aty përcaktohet që kryetari apo kryetarja dhe nënkryetarët e Kuvendit vazhdojnë funksionin e tyre deri në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, seanca konstituive përmbyllet vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
“Tash interpretimi i seancës konstituive duhet të bëhet në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton që seanca konstituive përmbyllet vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Që nënkupton se për sa kohë nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit dhe nuk është përmbyllur seanca konstituive, kryesia e legjislaturës paraprake vijon të ketë kompetenca vetëm për qëllimet e vazhdimësisë institucionale”, tha ai.
Cakolli ka deklaruar se në rrethanat aktuale nuk ekziston një pozitë tjetër kushtetuese që mund ta marrë funksionin e ushtruesit të detyrës së Presidentit, duke argumentuar se Haxhiu mund ta vazhdojë këtë funksion deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
“Për më tepër, në situatën e tanishme nuk ka asnjë pozitë tjetër kushtetuese në vend e cila mund ta marrë funksionin e ushtruesit të detyrës së presidentit, andaj rrjedha e vetme llogjike edhe e kuptueshme në këtë situatë mbetet që zonja Haxhiu ta ushtrojë atë dhe këtë ka mundur ta bëjë jo vetëm për shkak se është bërë deputete, por edhe sikur të mos zgjidhej fare deputete, që të mbante pozita tjera apo të mos garonte fare në zgjedhje, ajo do të vijonte ta mbante pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit. Situata është më diskutabile kur dihet, kur kemi parasysh faktin që tashmë kemi një Kuvend i cili ka dështuar ta përmbushë një obligim kushtetues, pra atë të konstituimit brenda afatit 30 ditor. Dhe në këtë drejtim është e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të ofrojë qartësi mbi atë se çfarë ndodh tash kur nuk kemi Kuvend të konstituuar brenda një afati kushtetues, që unë besoj do ta zgjidhte jo vetëm krizën aktuale të cilën e kemi por do të ofronte një rrugëdalje edhe nga situata për sa i përket ushtrimit të detyrës së funksionit nga ana e zonjës Haxhiu apo cilitdo kryetar të ardhshëm të Kuvendit”, tha ai, për Ekonomia Online.
Hulumtuesi i KDI-së ka thënë se çështja e moskonstituimit të Kuvendit mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga të paktën 10 deputetë, ndërsa ka përmendur afatin për një veprim të tillë.
“Fatkeqësisht Kushtetuta për sa i përket kontestimit të akteve të Kuvendit apo veprimeve ose mosveprimeve siç është ky në raport me moskonstituimin e tij, është e drejtë që e gëzojnë vetëm deputetët e Kuvendit të Kosovës, sepse palët e tjera të cilat e kanë këtë të drejtë të tillë mund ta bëjnë këtë vetëm në kuadër të çështjes së kompetencave apo konflikteve mes kompetencave të institucioneve, që nuk është rasti aktual. Deputetët e Kuvendit, përkatësisht të paktën 10 sosh kanë afat 8 ditor gjithsej nga momenti i shkeljes së supozuar që ta dërgojnë një rast në Gjykatën Kushtetuese, që nënkupton se tashmë jemi vetëm 4 ditë para skadimit të kësaj mundësie kushtetuese”, tha ai.
“Që nënkupton se deputetët opozitarë, në rastin e njëjtë besojnë që kemi të bëjmë me një shkelje kushtetuese dhe shkelje të aktgjykimit, do të kenë kohë vetëm edhe katër ditë për ta dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që e njëjta të japë një verdikt për të paktën unë besoj tre çështje kryesore”, tha ai.
Cakolli ka theksuar se njëra nga çështjet që duhet të sqarohet është nëse LVV-ja e ka konsumuar të drejtën për propozimin apo refuzimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.
“E para është të përcaktohet se a ka pasur konsumim të së drejtës së propozimit apo refuzimit në këtë rast nga Lëvizja Vetëvendosje. Dhe nëse po, cila duhet të jetë pasoja për një gjë të tillë, sepse e drejta kushtetuese nuk mund të keqpërdoret me qëllim të bllokimit të institucioneve”, tha ai.
Ai ka kërkuar gjithashtu qartësi për pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor.
“Së dyti duhet të përcaktohet se cila është pasoja juridike e moskonstituimit të Kuvendit brenda 30 ditëve. A do të ketë zgjedhje të reja, a do të ketë afat shtesë, apo vendi do të hyjë në një cikël të pafund të situatës së tillë ku edhe nëse Kuvendi nuk konstituohet nuk ka asnjë pasojë, që do të ishte efektivisht dhe një mundësi për partinë e parë që ta bllokojë pafundësisht zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, tha ai.
Ndërsa, si çështje të tretë, Cakolli e ka veçuar pozitën e qeverisë në detyrë dhe ushtrimin e funksioneve nga ministrat që kanë marrë mandat deputeti.
“Dhe çështja e tretë, që do të duhej të trajtohej është ajo e qeverisë në detyrë. Përkatësisht ushtrimit të funksionit nga kryeministri dhe ministrat të cilët kanë marrë mandat deputeti, për çfarë unë konsideroj që situata mbase është e qartë, nevojitet edhe një verdikt i gjykatës që e parandalon përsëritjen e situatës në të ardhmen.
Për shkak se ligji për qeverinë, Kushtetuta dhe aktet tjera në fuqi janë tepër të qarta e madje ka dhe një aktgjykim të Gjykatës Supreme në këtë drejtim, që përcakton se deputetët në momentin e marrjes së mandatit, pra që nga sekondi kur KQZ-ja i certifikon rezultatet, nuk kanë të drejtë më t’i ushtrojnë mandatet e tyre si ministra, sepse kjo është në papajtueshmëri me Kushtetutën përkatësisht nenin i cili ndalon ushtrimin e njëkohshëm të funksionit të deputetit dhe atij të ministrit. Kjo nënkupton që zoti Kurti bashkë me të gjithë ministrat të cilët bartin funksione edhe në Kuvend, tashmë janë në shkelje edhe të aktgjykimit të Gjykatës Supreme por edhe të vetë Kushtetutës”, tha ai.
Cakolli ka kritikuar mos-thirrjen e seancës konstituive, duke e cilësuar atë si pjesë të një serie veprimesh që, sipas tij, bien ndesh me dispozitat kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Pas shkeljes së aftit 30 ditor ne kemi kërkuar që çështja të referohet menjëherë në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të evitohen situatat paradoksale kushtetuese kur Kuvendi mund të marrë një vendim i cili mund mos jetë në përputhje me Kushtetutën. Por meqënëse edhe pas tejkalimit të afatit kushtetues u mbajt një seancë, unë besoj që ajo ka qenë pika përmes së cilës është tentuar që të normalizohet shkelja si e tillë. Dhe për të qenë i sinqertë kur nuk është fare problem që qëllimisht të shkelet afati kushtetues 30 ditor, është deri diku edhe pa kuptim që pastaj të kritikohet më shumë për shkeljen e një afati 48 orësh. Pra, ne thjesht kemi të bëjmë me një seri të vendimeve që qëllimisht shkelin dispozitat kushtetuese dhe ato që përcaktohen në rregulloren e Kuvendit nga ana e kryesuesit Dehari, i cili në fakt ka një traditë në shkelje të tilla të konstatuara edhe përgjatë viteve të kaluara”, tha ai.
“Prandaj mos-thirrja e seancës tashmë për më shumë se gati 72 orë është indikator i qartë që kemi të bëjmë me një situatë të shkeljes së qëllimshme, për çka e bën të domosdoshme dërgimin në Gjykatën Kushtetuese për të përcaktuar për të përcaktuar pasojat e veprimit ose mosveprimit brenda afatit kushtetues dhe e shkeljeve të qëllimshme kushtetuese nga ana e kryesuesit të seancës konstituive”, tha ai.













