Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës u mblodhën sot nga ora 11:00 në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga partia më e madhe parlamentare dhe kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit.
Në të njëjtën kohë, Kuvendi i Kosovës kishte hapur dyert për mërgimtarët, të cilët nga ora 12:00 deri në 16:00 mund të vizitonin sallën plenare.
Në pritje të mërgimtarëve ishin edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Prezenca e Haxhiut në sallën plenare solli edhe tensionet e para. Ajo u përfshi në një përballje verbale me deputetet e PDK-së, Blerta Deliu dhe Sala Jashari, ndërsa kërkesa kryesore e deputetëve të PDK-së vazhdonte të ishte “Thirreni seancën”.
Gjatë përballjes me Sala Jasharin, Haxhiu i është përgjigjur duke thënë se LVV-ja e ka fuqinë, ndërsa Jashari i është kundërpërgjigjur se “fuqia kërkon përgjegjësi dhe punë”.
Pas këtyre zhvillimeve, deputetët e LVV-së, Donika Gërvalla, Ardian Gola, Adnan Rrustemi dhe Vigan Qorrolli, kanë përsëritur kërkesat për takime dhe marrëveshje politike, me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja parlamentare.
Tensionet vazhduan edhe gjatë prononcimeve dhe debateve mes deputetëve. Arbërie Nagavci u përfshi në debat me deputeten e PDK-së, Blerta Deliu, ndërsa gjatë kësaj përplasjeje deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, e shtyu Nagavcin dhe i kërkoi të largohej nga salla.
Më pas, përplasje pati edhe mes deputetit të LVV-së, Ardian Gola, dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu. Debati mes tyre u shoqërua me ngritje zëri, akuza dhe hedhje të ujit në drejtim të Golës.
Musliu e quajti Golën “kriminel”, duke e akuzuar atë dhe deputetët e tjerë të LVV-së për shkelje të Kushtetutës.
Situata u tensionua edhe më tej kur Musliu pati përplasje me një pjesëtar të sigurimit, pasi ajo hodhi ujë në drejtim të deputetes së LVV-së, Arbërie Nagavci.
“Hera e parë dhe e fundit që më prek”, i është drejtuar Musliu pjesëtarit të sigurimit.
Në një tjetër moment, përplasja kaloi në kontakt fizik edhe mes deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, dhe deputetit të LVV-së, Adnan Rrustemi.
Lushtaku e shtyu Rrustemin, duke i kërkuar që të shkonte ta thërriste vazhdimin e seancës, ndërsa deputetë të tjerë ndërhynë për t’i qetësuar situatën.
Tensionet u bartën edhe gjatë prononcimeve për media, ku deputetët e PDK-së vazhduan me thirrjet “Thirreni seancën”, ndërsa disa prej deputetëve të LVV-së tentuan të japin deklarata për zhvillimet në Kuvend.
Në një moment, gjatë prononcimit të Ardian Golës, ai u spërkat me ujë, ndërsa situata vazhdoi të shoqërohej me thirrje dhe përplasje verbale.
Më pas, në Kuvend u rikthye Albulena Haxhiu, e cila tentoi të prononcohej para mediave, por edhe ajo u ndërpre nga deputetët e PDK-së me brohoritje, fishkëllima dhe thirrje për thirrjen e seancës.
Haxhiu gjatë prononcimit deklaroi:
“Njëherë thanë e keni tejkaluar afatin, mos thirrni seancë. Tash po thonë thirrni seancë. Unë s’po i kuptoj.”
Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, bëri të ditur se partia e saj do të vazhdojë veprimet në Kuvend, duke kërkuar kthimin e rendit kushtetues.
“PDK-ja, siç e kemi thënë tash e sa kohë, do të vazhdojë të bëjë përpjekjet ta kthejë rendin kushtetues. Nuk do të ketë normalitet derisa nuk e thërrasin Kuvendin. PDK-ja do të jetë përditë në Kuvend”, deklaroi Deliu.
Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar thirrjen urgjente të seancës, duke thënë se Kuvendi nuk është pronë e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Në gjithë këtë situatë ishin edhe mërgimtarët që kishin ardhur për vizitë në Kuvend. Disa prej tyre u përfshinë në diskutime rreth zhvillimeve politike, ndërsa një qytetar u shfaq në sallën plenare me një pankartë ku shkruhej “Kurti n’burg”.
Një tjetër mërgimtar tha se do të vijë në Kosovë sa herë që ta kërkojë babai i tij.
Dita në Kuvend u shoqërua kështu me tensione të vazhdueshme, përplasje verbale dhe fizike, ndërsa në qendër të kërkesave të PDK-së dhe AAK-së mbeti thirrja e seancës për konstituimin e Kuvendit.














