Haxhiu ka thënë se mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes subjekteve dhe personave që mbajnë përgjegjësi politike, duke kërkuar që stafi profesional i Kuvendit të mos përfshihet në këto përplasje.
“Mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes atyre që mbajnë përgjegjësi politike. Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se, nëse opozita ka vërejtje ndaj punës së saj, ato duhet të adresohen drejtpërdrejt te ajo ose përmes mekanizmave institucionalë.
“Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, stafi i Kuvendit nuk është palë në përplasjet politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë.
“Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë”, ka theksuar ajo.
Haxhiu ka thënë se e dënon publikisht këtë sjellje dhe ka kërkuar që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe përmes rrugëve institucionale, e jo përmes, siç i ka quajtur ajo, sulmeve dhe insinuatave ndaj zyrtarëve të Kuvendit.













