Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve është regjistruar si biznes individual që aktivitet kryesor ka sallonet e floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë, por në realitet del se ofron shërbime shëndetësore. Fjala është për biznesin e Shkurta Hyseni me emrin tregtar “Face & Laser Remove & Tattos Qendra Estetike Shkurta”, por që në rrjete sociale prezantohet me emrin ‘Qendra Estetika Shkurta’ që vepron në Ferizaj.
Veriu.info ka siguruar një vendim të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilin SPSh “Face & Laser Remove & Tattos Qendra Estetike Shkurta” është gjobitur me 4 mijë euro për shkelje të Ligjit për Shëndetësi.
Në arsyetimin e vendimit të Inspektoratit Shëndetësor për gjobitjen e ‘Qendrës Estetike Shkurta’ të siguruar nga Veriu.info, thuhet se gjatë inspektimit të realizuar më12 shkurt në këtë subjekt të themeluar nga Shkurte Hyseni në Ferizaj është konstatuar se ofrohen shërbime shëndetësore pa licencë për ushtrimin e veprimtarisë shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë.

“Në sistemin online të Divizionit të Licencimit dhe Akreditimit në MSh nuk figuron që ky subjekt ka bërë aplikimin për licencim të veprimtarisë shëndetësore. Në kohën e inspektimit brenda subjektit prezent ishte znj. Shkurte Hyseni – themeluese”, thuhet në vendim, në të cilin bëhet e ditur se aty janë gjetur sasi të konsiderueshme të fillerëve dhe Botox-it, Liporase, si dhe ampula Lemon Bottle, Booster të injektueshme, të cilat janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik.
“Këto shkelje përbëjnë ushtrim të veprimtarisë shëndetësore pa përmbushur kushtet ligjore të përcaktuara me nenet 40 dhe 42 të Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësinë. Në bazë të konstatimeve të raportit dhe të dispozitave të sipërpërmendura ligjore, plotësohen kushtet për shqiptimin e gjobës ndaj institucionit, siç është përcaktuar në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendim, por që në të cilin nuk shkruhet se i është ndërprerë kjo veprimtari shëndetësore e kundërligjshme këtij biznesi me themeluese Shkurte Hyseni.


Nga postimet në rrjete sociale, Veriu.info sot ka gjetur se kjo qendër ka vazhduar të ofrojë shërbime shëndetësore fillerë.
Veriu.info ka kontaktuar me “Qendrën Estetike Shkurta”, duke kërkuar përgjigje në pyetjet se përse kanë punuar pa licencë dhe a është pajisur tash me licencë, pasi që sot kemi gjetur se kanë bërë postime për injektim të fillerëve.
Në një deklarim për Veriu.info, që i ngjan shumë pak përgjigjes në pyetjet e dërguara, themeluesja Shkurta Hyseni ka thënë se nuk dëshiron të japë deklaratë lidhur me këtë çështje, por që në fakt ka dhënë një deklaratë, por pa përgjigje në pyetjet e dërguara.
“Kam ndërtuar me shumë punë dhe përkushtim karrierën time profesionale në Kosovë dhe në diasporë dhe gjithmonë jam përpjekur ta ruaj me dinjitet, profesionalizëm dhe korrektësi. Për këtë arsye, nuk dëshiroj që një çështje e tillë të paraqitet në mënyrë që mund të dëmtojë padrejtësisht emrin dhe reputacionin tim profesional. Gjithashtu, nuk jap pëlqimin tim që firma ime të fotografohet, merret si imazh apo publikohet, dhe kërkoj që emri im dhe çdo material që më identifikon të mos publikohen pa pëlqimin tim. Kam respekt për institucionet shtetërore dhe bashkëpunimin institucional, ndërsa çdo çështje e kësaj natyre duhet të trajtohet përmes procedurave zyrtare”, thuhet në deklarimin me shkrim të Shkurte Hyseni për Veriu.info, pa sqaruar se a po vazhdon ofrimin e shërbimeve shëndetësore pa licencë, duke qenë se sot ka postuar publikime duke u injektuar fillerë në qendrën e saj.






LEXONI EDHE:














