Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës edhe sot në orën 11:00 ka qenë të pranishëm në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës nga ku thanë se aty do të duhej të mbahej vazhdimi i seancës konstituive.
Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi Ramaj, nga foltorja e sallës plenare, i bëri thirrje kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe partisë së tij ta konstituojnë Kuvendin.
“Nuk po kërkojmë privilegj. Po kërkojmë diçka elementare: të funksionojë shteti.
Prandaj, Kurti, thirre seancën. Konstituoje Kuvendin. Respekto Kushtetutën dhe lëri institucionet të bëjnë punën e tyre. Sepse Kosova nuk është pronë e një lideri. Kosova u përket qytetarëve të saj. Dhe askush, absolutisht askush, nuk ka të drejtë ta mbajë peng të ardhmen e saj”, tha ajo.
Kabashi Ramaj theksoi se të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, janë zgjedhur nga qytetarët për të punuar dhe për t’i trajtuar problemet e tyre, jo për të mbetur peng i krizës së shkaktuar nga Albin Kurti.
“Asnjë fitore zgjedhore nuk i jep askujt të drejtën ta vendosë veten mbi Kushtetutën. Asnjë lider nuk është mbi shtetin. Asnjë parti nuk është mbi Kosovën. Ajo që po ndodhë këtu është një krizë shtetërore e shkaktuar nga partia së cilës qytetarët ia kanë dhënë përgjegjësinë për t’i konstituuar institucionet, por që në realitet ka vendosur ta mbajë krejt shtetin peng! E pasojat i ndien pacienti që pret trajtim dhe mjeku që punon në kushte të vështira. I ndien polici, ushtari dhe zjarrfikësi që mbrojnë vendin, por vazhdojnë pa sigurim të mirëfilltë shëndetësor dhe jetësor. I ndien mësuesi. Studenti që pyet a ka të ardhme këtu. Fermeri që pret mbështetjen. Biznesi që kërkon stabilitet. Ju, qytetarë, po e paguani çmimin e një shteti që nuk po lejohet të funksionojë”, shtoi ajo.
Kabashi-Ramaj tha se Kurti po provon të simulojë normalitet në vend, por po e dërgon rendin shtetëror e institucional drejt autokracisë.
“Rreziku që po i kanoset Kosovës sonë dhe demokracisë që me aq shumë mund e sakrificë e kemi krijuar, është i madh! Demokracia nuk zhbëhet domosdoshmërisht brenda një nate. Ajo fillon të dobësohet kur një lider nuk i pranon më kufijtë që ia vendos Kushtetuta. Kur Kuvendi mbahet jofunksional. Kur pushteti përqendrohet gjithnjë e më shumë dhe institucionet që duhet ta kontrollojnë atë dobësohen. Këto janë shenja paralajmëruese të rrëshqitjes drejt autokracisë”, shtoi ajo.












