Muaji nëntor del të jetë muaji i skandaleve të kompanisë “Buquku” në pronësi të Jeton Buqukut.
AUV ka raportuar për disa raste gjatë këtij muaji kur kësaj kompanie i është ndaluar prodhimi i produkteve dhe tërheqja nga tregu e tyre, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Më 13 nëntor, AUV-ja njoftoi se në produktin “Suxhuk shtëpiak” të kompanisë Buquku ishte zbuluar ADN e pulës, ndonëse në etiketë ishte deklaruar se produkti përmbante vetëm mish dhe dhjamë gjedhi.
Analizat laboratorike konfirmuan praninë e ADN-së së gjedhit dhe pulës, por nuk përcaktuan llojin, sasinë apo burimin e materialit të identifikuar. Në këtë rast, inspektorët bllokuan gjithsej 178 kilogramë produkte, përfshirë 120 kilogramë suxhuk “Kalorik” dhe 58 kilogramë “Suxhuk shtëpiak”, ndërsa urdhëruan ndalimin e prodhimit të suxhukut dhe tërheqjen e produkteve nga pikat e shitjes.
Rasti i dytë është i ditës së sotme, kur AUV-ja njoftoi se analizat laboratorike të produktit “Pleskavicë Buquku 0.5 kg” kishin rezultuar me prani të bakterit E.coli.
Për këtë arsye, Agjencia urdhëroi ndalimin e përkohshëm të prodhimit dhe tërheqjen e sasive të mbetura të produktit nga tregu. Prodhimi mund të rifillojë vetëm pasi të eliminohen mangësitë, të dëshmohet përputhshmëria përmes analizave laboratorike dhe të bëhet verifikimi nga AUV-ja.
Po ashtu, në një rast tjetër të njoftuar më 28 nëntor, Buquku u përmend si njëri nga furnizuesit e lëndës së parë për produktin “Mish i grirë Premium Qobani”, të prodhuar nga VIVA FRESH. Në tri nga pesë mostrat e këtij produkti u gjet nivel i E. coli mbi vlerën referente. Në të njëjtin rast u gjet edhe bakteri Listeria monocytogenes në produktin “Pastrami viçi”, por sipas njoftimit të AUV-së, furnizuesi i lëndës së parë për këtë produkt ishte kompania Delta M, jo Buquku.
LEXONI EDHE:
Kështu ndodhi plagosja e Jeton Buqukut në vendin e punës (Video)
Dihen emrat e tre të dyshuarve për tentim-vrasjen e afaristit Jeton Buquku
Dyshime për inskenimin e incidenteve nga Jeton Buquku për shlyerjen e borxhit ndaj Demë Elshanit
“Trutë në ledinë kom me t’i qitë ty dhe djalit tënd” – Dosja kundër pronarit të firmës “Buquku”
Ky është kallëzimi penal për krimin e Jeton Buqukut, zyrtari policor Krasniqi e denoncoi rastin














