Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se palët kanë diskutuar për kriteret dhe figurën e presidentit apo presidentes së re të Kosovës.
“Shqyrtuam e diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes së re nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributit në shoqëri, për me sa vëzhgohet edhe në profesionet e caktuara. Është vendim tejet i rëndësishëm dhe është proces shumë i ndjeshëm. Është proces i ndjeshëm dhe vendim i rëndësishëm”, tha Kurti.
“Nuk është ky vendi ku mund të flasë për emra”, shtoi Kurti në lidhje me ndonjë emër të mundshëm për president të vendit.
Ndërsa, Abdixhiku tha se do të diskutohet brenda partisë për emra konkretë.
“Diskutuam për kriteret dhe profilin potencial për profilin e presidentit të ardhshëm. Kriteret janë të qarta, ju lus që t’i besoni orientimit tonë 37-vjeçar. Jam i bindur se Kosova ka figura të tilla, por çështja është shumë sensitive. Kërkuam periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona, para se të vijmë me emra konkretë para se takohemi sërish. Na duhet ende kohë për të dalë me emra specifikë”, tha Abdixhiku.














