Tre persona janë arrestuar në Prizren nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të fajdes.
Gjatë aksionit për arrestimin e të dyshuarve, njëri prej tyre dyshohet se nuk është ndalur me automjet dhe ka vazhduar ikjen.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, gjatë ikjes i dyshuari ka goditur me automjet një 17-vjeçare.
“Gjatë ikjes, i njëjti ka goditur një këmbësore, femër, 17-vjeçare, e cila, sipas vlerësimit të mjekëve, ka pësuar lëndime dhe është jashtë rrezikut për jetë”, ka deklaruar Bytyqi.
Po gjatë ikjes, i dyshuari dyshohet se ka goditur edhe një zyrtar policor, hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë.
“Po gjatë ikjes, i dyshuari ka goditur edhe një zyrtar policor, hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore. Pas veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët policorë, i njëjti është ndaluar dhe arrestuar”, tha Bytyqi.














