Duke folur për funksionalizimin e Kuvendit, Tahiri deklaroi se, sipas tij, Kurti ka mundësi ta zhbllokojë situatën, por nuk po e bën këtë.
“Nesër në mëngjes mundet me funksionalizu Kuvendin, nuk e bën sepse janë skenarë të dramave e të filmave, edhe komikë. Po më shumë janë tragjikë sesa komikë”, tha Tahiri.
Ai e akuzoi Kurtin se edhe gjatë kohës sa ishte në opozitë kishte qenë, sipas tij, “destruktiv” dhe “pengues”, por me ndikim më të vogël politik.
“Kur Albin Kurti ka qenë në opozitë, e ka pas numër të vogël të votave, ai ka qenë edhe atëherë destruktiv, edhe atëherë ka qenë pengues, por ka qenë shumë i vogël, shumë i parëndësishëm edhe në tavolinat vendimmarrëse ku janë marrë vendimet e mëdha për Kosovën, nuk ka marrë erë”, deklaroi ai. Tahiri shtoi: “Fatmirësisht që s’ka mundur me qenë ato tavolina vendimmarrëse se as flamurin e Kosovës nuk e ka njohur”.
Deputeti i PDK-së u shpreh se mosfunksionalizimi i Kuvendit po ndikon edhe në institucionet e tjera të shtetit.
Ai e cilësoi qasjen e pushtetit si “abuzuese” dhe “kërcënim për rendin kushtetues”.













