NATO ka deklaruar se është e përgatitur të marrë çdo masë të nevojshme për mbrojtjen e aleatëve të saj, pas raportimeve se Irani ka shqyrtuar mundësinë e sulmeve ndaj instalimeve ushtarake amerikane në Evropë, në rast se Donald Trump vendos të zgjerojë konfliktin.
Financial Times raportoi se autoritetet në Teheran kanë analizuar alternativa për goditje të mundshme ndaj bazave ushtarake amerikane në territorin evropian, nëse Shtetet e Bashkuara përshkallëzojnë operacionet e tyre.
Një zyrtar i NATO-s, i pyetur nga Reuters për këtë raportim, theksoi se aleanca disponon kapacitete të fuqishme mbrojtëse dhe parandaluese.
“NATO është e përgatitur të përballet me çdo kërcënim dhe gjithmonë do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët”, u shpreh zyrtari.
Si dëshmi të këtyre kapaciteteve, ai përmendi operacionet e mbrojtjes ajrore të zhvilluara nga NATO më herët gjatë vitit 2026, kur raketat balistike të lëshuara drejt Turqisë u kapën në mënyrë të përsëritur.
“Siç u demonstrua më parë këtë vit, kur mbrojtja ajrore e NATO-s interceptoi me sukses, katër raketa balistike të drejtuara nga Irani drejt Turqisë, qëndrimi ynë parandalues dhe mbrojtës është i fortë dhe efektiv”, deklaroi ai.
Sipas personave pranë regjimit iranian, të cilët folën për Financial Times, Teherani ka shqyrtuar mundësinë e shtrirjes së konfliktit përtej Lindjes së Mesme, duke përfshirë edhe sulmet ndaj objektivave ushtarake amerikane në Evropë, nëse Donald Trump e përshkallëzon luftën.
Dy burime të informuara mbi diskutimet i thanë FT se forcat iraniane kanë vlerësuar skenarë për goditjen e instalimeve amerikane në Evropën Juglindore, përfshirë edhe ato në Bullgari. Muajin e kaluar, Sofja miratoi përdorimin e bazës ajrore Besmer nga avionët amerikanë të furnizimit me karburant.
Një prej burimeve bëri të ditur se, në rast të një sulmi të ri amerikan, ndër objektivat e mundshëm hakmarrës mund të jetë Qiproja. Në këtë ishull, baza britanike në Akrotiri u sulmua nga një dron në mars.
Po ashtu, sipas të njëjtit burim, ushtria iraniane ka shqyrtuar veçmas edhe mundësinë e goditjes së kabllove nënujore të fibrave optike në Ngushticën e Hormuzit, nëse përplasja do të zgjerohej më tej.














