Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vazhduar për të gjashtën ditë radhazi aksionin e tyre duke bllokuar hyrjen e Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste ndaj mos-thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Aksionit të PDK-së këtë të enjte i janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës, si dhe drejtues e asamblistë të PDK-së nga Komuna e Vushtrrisë, të cilët kërkuan kthimin e procesit në Kuvend dhe konstituimin e institucioneve.
Asamblistja e PDK-së nga Vushtrria, Vlera Tahiri, tha se qytetarët e kësaj komune kanë nevojë për investime dhe projekte zhvillimore, ndërsa për këtë, sipas saj, nevojiten institucione funksionale.
“Ne sot kemi ardhur edhe nga Vushtrria. Nga një komunë me qytetarë punëtorë, me biznese, me të rinj dhe me potencial të jashtëzakonshëm. Por që nuk po e merr vëmendjen e duhur nga qeveria, as mbështetjen prej saj. Vushtrria ka nevojë për investime, për projekte zhvillimore dhe për një qeveri që i trajton komunat dhe qytetarët me përgjegjësi. Qytetarët e Vushtrrisë nuk duhet të ndihen të lënë anash. Edhe pikërisht për këtë na duhen institucione që punojnë, na duhet një kuvend funksional, ku këto çështje ngrihen, diskutohen dhe kërkohet llogaridhënie. Prandaj, kërkesa është e thjeshtë. Procesi duhet të kthehet në kuvend, seanca duhet të vazhdojë, institucionet duhet të konstituohen”, tha ajo.












