Një propozim për këmbimin e pronës komunale me pronë private në Ferizaj ka ngritur dyshime për mënyrën e menaxhimit të pasurisë publike. Bëhet fjalë për rreth 150 metra katrorë pronë private që këmbehen me 577 metra katrorë pronë komunale. Pra, mbi pesëfish më shumë tokë publike. Në rast përfshihen Komuna e Ferizajt, pronarët privatë të ngastrave dhe drejtues të kompanisë “Sherreti”. Pyetja kryesore është: Kush po përfiton nga ky këmbim?, shkruan Insajderi.
Sipas deklarimeve të bëra publike, Ekzekutivi i Komunës së Ferizajt i ka propozuar Kuvendit Komunal këmbimin e dy ngastrave private, 2435-1 dhe 2435-2 në Zonën Kadastrale Ferizaj, me një pjesë të ngastrës 180-10 në Zonën Kadastrale Talinoc i Jerlive, në pronësi të Komunës së Ferizajt.
Asambleistja e LDK-së, Egzona Selimi, ka ngritur shqetësimin se për 150 metra katrorë pronë private, Komuna po propozon të japë 577 metra katrorë pronë publike.
“150 m² merren, 577 m² jepen!”, ka shkruar Selimi, duke potencuar se diferenca është 427 metra katrorë në favor të pronës private.
Sipas saj, qytetarët duhet të kërkojnë llogari jo vetëm nga Qeveria Qendrore për menaxhimin e pronave komunale, por edhe nga pushteti lokal.
“Ku është interesi i Komunës dhe i qytetarëve të Ferizajt në këtë këmbim? Kush përfiton konkretisht nga ky vendim?”, ka pyetur Selimi.
AVONET kërkon dokumentet dhe vlerësimet
Të njëjtat shqetësime i ka ngritur edhe Kenan Gashi nga AVONET.
Ai ka kërkuar që para votimit të bëhen publike dokumentet, vlerësimet dhe arsyetimi i plotë i këmbimit.
“Prona publike nuk është pronë private. Keqpërdorimi i pasurisë publike mund të ndodhë edhe kur jepet tokë komunale pa një arsyetim të qartë, pa transparencë dhe pa u dëshmuar interesi publik”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka kërkuar të sqarohet se pse po bëhet këmbimi, kush përfiton prej tij, sa është vlera reale e të dyja pronave dhe kush i ka bërë vlerësimet.
Gashi ka kërkuar gjithashtu të bëhet e ditur nëse është bërë analizë e interesit publik, pse është përzgjedhur pikërisht prona private në fjalë dhe nëse janë shqyrtuar alternativa të tjera.
“Prona komunale është pasuri e qytetarëve, jo pronë e pushtetit. Ajo duhet të menaxhohet me ligjshmëri, transparencë dhe vetëm në interes të përgjithshëm”, ka thënë ai.
Por, pas kësaj polemike qëndron edhe një lidhje me kompaninë “Sherreti” dhe drejtuesit e saj, çka ka shtuar pyetjet rreth qëllimit dhe përfitimit nga këmbimi.
Sipas informacioneve të publikuara lidhur me rastin, pronarët privatë janë Bujar dhe Imrane Avdiu, ndërsa prona e tyre është shpallur interes i përgjithshëm nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, në kuadër të procedurave për mundësimin e këmbimit.
Pikërisht për këtë arsye, Insajderi ka kërkuar përgjigje nga drejtuesi i kompanisë “Sherreti”, Bujar Sherreti duke kërkuar të sqarohet lidhja e kompanisë me pronën dhe investimi i mundshëm në hapësirën që do të përfitohej.
Gazeta ka pyetur se si është arritur deri te ky këmbim, cili do të jetë investimi i kompanisë “Sherreti” në tokën publike dhe sa qytetarë të Ferizajt do të punësoheshin në rast të realizimit të këtij investimi.
Po ashtu, janë kërkuar sqarime se prej sa kohësh Bujar dhe Imrane Avdiu e kanë në pronësi tokën private dhe në cilin vit është blerë ajo.
Drejtuesi i “Sherretit” nuk u është përgjigjur pyetjeve të Insajderit deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Komuna: Këmbimi bëhet në interes të Komunës
Komuna e Ferizajt i ka hedhur poshtë pretendimet për keqpërdorim të pronës publike, duke thënë se këmbimi synon krijimin e kushteve për realizimin e projektit “Sheshi i Fjalës së Lirë”, në hapësirën përskaj pronës së KEDS-it.
“Ky këmbim i pronës komunale me atë private bëhet në interesin e Komunës me qëllim të krijimit të kushteve të nevojshme ligjore, teknike e infrastrukture për realizimin e projektit ‘Sheshi i Fjalës së Lirë’”, thuhet në reagimin e Komunës.
Sipas Komunës, ngastrat private që janë objekt i këmbimit kufizohen me pronën e KEDS-it dhe aktualisht janë në përdorim publik. Komuna pretendon se mosrealizimi i këmbimit do të pamundësonte qarkullimin dhe frekuentimin e kësaj hapësire nga qytetarët.
Sa i përket pretendimeve se do të jepen 577 metra katrorë pronë komunale në këmbim të 150 metrave katrorë pronë private, Komuna thotë se ky interpretim është i pasaktë.
“Prona komunale që do të këmbehet me këto dy prona private, pra parcela 180-10 ZK Talinoc i Jerlive, nuk do të këmbehet në tërësi, por një pjesë e saj, e barasvlefshme me pronat private përkatëse në qendër të qytetit dhe natyrisht e vlerësuar si ligjshmëri dhe në pikëpamje vlerore kjo edhe nga instancat qeveritare – Ministria përkatëse. Pra, keqkuptimi i qëllimshëm e shpifja qëndron në faktin se po jepet prona komunale në tërësi gjersa mirëfilli lehtë i verifikueshëm është fakti se këmbimi propozohet të ndodh vetëm për një pjesë të kësaj parcele“, thuhet në reagimin e komunës.
Komuna ka sqaruar gjithashtu se këmbimi nuk prek hapësirën ku ndodhet shtatorja dhe parku i dëshmorit të kombit, Driton Islami – Toni.
“Nga ky këmbim mes pronës komunale ku gjendet edhe shtatorja e Dëshmorit të Kombit – Driton Islami – Toni, me pronat private të lartcekura, nuk cenohet asnjë metër i hapësirës së shtatores dhe parku përskaj saj”, thuhet tutje në reagimin e Komunës.
Për vlerësimin e pronave, Komuna thotë se përgjegjësia nuk është e saj, por e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
“Vlerësimi është kompetencë e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si institucion kompetent për këtë proces”, thuhet në reagim.
Këtu e gjeni të plotë reagimin e plotë të komunës.














