Pesë persona janë arrestuar dhe ndaluar në Deçan, nën dyshimin se kanë organizuar skema piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.
Aksioni është ndërmarrë mbrëmë nga Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Stacionin Policor në Deçan.
“Gjatë kontrollit të lokalit ku dyshohet se zhvillohej kjo veprimtari, janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht prova materiale që dyshohet se kanë shërbyer për zhvillimin e kësaj veprimtarie, përfshirë letra/karta të lojës, pesë (5) telefona mobilë, si dhe para të gatshme në shumën prej 1,615 (një mijë e gjashtëqind e pesëmbëdhjetë) euro”, thotë Prokuroria, raporton Klankosova.tv.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, përfshirë kërkesën për caktimin e masës së sigurimit ndaj të dyshuarve.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor, prokurori i rastit do të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, përfshirë parashtrimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit ndaj të dyshuarve, sipas dispozitave ligjore në fuqi. Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe dukurive të kundërligjshme, si dhe në ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj të gjithë personave që dyshohet se përfshihen në veprimtari të tilla”, thotë Prokuroria./Klankosova.tv
https://www.facebook.com/share/p/1Ag7gV1Xcf/













