Një operacion i koduar “Anchor” është finalizuar në Durrës, duke goditur një rast të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Në kuadër të operacionit, në Portin e Durrësit janë sekuestruar 127 pako me rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC.
Sipas Policisë, vlera e lëndës narkotike në treg përllogaritet në rreth 1 milion euro.
Gjithashtu, gjatë operacionit janë sekuestruar 3 automjete, 5 aparate celularë dhe rreth 11 mijë euro cash.
Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në një hapësirë të modifikuar të një automjeti të porositur për blerje në Kanada. Pas mbërritjes në Shqipëri, dyshohet se droga shpërndahej në territorin shqiptar dhe në Kosovë.
Policia e Durrësit ka arrestuar tre shtetas nga Kosova: Taulant Duraku (32 vjeç), Luan Gashi (26 vjeç) dhe Besfort Jaka (40 vjeç). Dy persona të tjerë, njëri nga Kukësi dhe tjetri nga Ontario, janë shpallur në kërkim.
Ndërkohë janë publikuar edhe pamjet e aksionit.













