Një rast tragjik ka ndodhur në lagjen Veternik të Prishtinës, ku një person dyshohet se ka humbur jetën në vendin e punës.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar se 49-vjeçari ka rënë nga një lartësi derisa ishte duke punuar.
“Sot rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën se një person ka rënë nga një lartësi (objekt) në lagjen Veternik në Prishtinë, derisa ishte duke punuar. Viktima mashkull, 49 vjeç, nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha Ahmeti për Insajderin.
Sipas saj, Policia, në koordinim me Prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës, ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit.
“Policia në koordinim me prokurorinë dhe Inspektoriatin e Punës kanë nisë një hetim lidhur me këtë rast”, tha ajo.














