Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, sot pas dite pritet ta vizitojë Kosovën ku do të pritet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Pahor po zhvillon një turne të vizitave nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.
Turneu i Pahor vjen në kuadër të përgatitjeve për samitin e 11-të të procesit Brdo-Brioni, më 12 shtator, që do të mbahet në Brdo pranë Kranjës.
Ai para pak ditësh qëndroi në Beograd, ku foli edhe për dialogun Kosovë – Serbi, e që kërkoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Kosova.
“Sa herë i kam vizituar miqtë e mi në Prishtinë, u kam thënë se duhet të formohet Asociacioni i komunave serbe nëse duam që një proces të jetë i besueshëm”, ka thënë Pahor në kryeqytetin serb.
Pahor kishte thënë se gjatë vizitës në Kosovë do të dërgojë disa mesazhe të rëndësishme.
“Në Prishtinë, së pari, do të them se çështjet e mbetura aktuale, në shtator dhe tetor, duhet të zgjidhen me dialog, dhe së dyti, dialogu duhet të jetë më ‘i gjallë’, mendoj se ka shumë mosbesim”, u shpreh ai.












