Inspektorati Farmaceutik, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, ka kryer kontroll në Poliklinikën “Natal” në Prishtinë, pas një ankese të pranuar më 15 maj 2026.
Kontrolli është realizuar më 21 maj 2026. Gjatë inspektimit në hapësirat e institucionit janë gjetur produkte medicinale të paautorizuara për qarkullim në tregun e Kosovës, ndërsa pala nuk ka ofruar dëshmi për prejardhjen e tyre, raporton Front Online.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik.
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik për Poliklinika Natal
Produktet janë regjistruar dhe konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik. Por, raporti përmban edhe një element tjetër. Sipas dokumentit, ankuesi kishte pretenduar se Dr. Ismail Lutolli përgatiste produkt medicinal Propranolol krem për hemangioma. Gjatë kontrollit, Inspektorati thotë se në hapësirat e institucionit ka gjetur kuti të zbrazura të produktit medicinal Propranolol tablete, për të cilat janë realizuar fotografi dhe ato i janë bashkëngjitur raportit, raporton Front Online.
Raporti, megjithatë, nuk thotë se inspektorët kanë dëshmuar përgatitjen e kremit; ajo paraqitet si pretendim i ankuesit. Ajo që dokumentohet nga kontrolli janë kutitë e zbrazura dhe produktet e paautorizuara të gjetura në institucion. Inspektorati ka konstatuar se Poliklinika “Natal” kishte licencë valide, ndërsa Dr. Ismail Lutolli ishte i pranishëm gjatë inspektimit. Subjekti është urdhëruar të punojë vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi, raporton Front Online.
Raportin e shoqëron edhe Vendimi me gjobë nr. 10/F-014-26, ndërsa si dëshmi janë bashkëngjitur lista e mallit të konfiskuar dhe fotografitë e kutive të Propranololit, raporton Front Online.











