Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë njoftuar se kanë pranuar materiale të reja përmes sinjalizuesve, të cilat, sipas tyre, lidhen me raste të dyshuara të legalizimeve dhe procese të tjera që mund të jenë zhvilluar në kundërshtim me ligjin nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës.
Në njoftimin e degës së VV-së në Prishtinë thuhet se materialet përmbajnë prova, informacione dhe indicie për raste të dyshuara si të jashtëligjshme.
Sipas Vetëvendosjes, nëse këto të dhëna vërtetohen nga organet kompetente, ato mund të përbëjnë dëshmi për kryerjen e veprave të ndryshme penale.
Për këtë arsye, asamblistët e VV-së kanë paralajmëruar se nesër, në ora 10:00, do t’ua dorëzojnë materialet organeve kompetente.
Me këtë rast, para objektit të hetuesisë në rrugën “Luan Haradinaj”, do të mbahet edhe një konferencë për media.














