Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar takim të ri me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin për çështjen e presidentit të Kosovës.
Pas takimit që patën të mërkurën, Abdixhiku ka thënë se kanë diskutuar për emra konkret ani pse nuk i ka përmendur ata.
“Sot kemi vazhduar me diskutime rreth emrave, në tërësinë e emrave mund të them se gjithë emrat, janë në vijë të parimeve. Është hap përpara, kemi kaluar në emra, por nuk mund të diskutojmë për emra. Do të takohemi sërish për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës”, ka thënë Abdixhiku.
“Po përpiqemi meqë jemi të interesuar t’i japim stabilitet Kosovës. LDK-ja është garancë se presidenti i republikës është i denjë dhe populli i Kosovës duhet të ndihet komod”, ka theksuar ai.














