Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, u vendos përballë disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në aktivitetin e partisë përpara objektit të qeverisë.
Gjatë aktivitetit, Musliu disa herë iu bëri thirrje policëve se, nëse Albin Kurti, si deputet i betuar, mund të hyjë në Qeveri, atëherë edhe deputetët e PDK-së munden.
“Para se të na pengojnë qasjen në institucione, ju rekomandoj Policisë së Kosovës ta lexojë Ligjin Nr. 03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, konkretisht Nenin 11 – Qasja në institucionet publike” ka shkruar Musliu në Facebook, pas përfundimit të aktivitetit.
Sipas saj, PK-ja duhet t’I nënshtrohet Kushtetutës, dhe jo urdhrave politikë.
“Për 16 vjet në Kuvendin e Kosovës, kam punuar çdo ditë për një Polici profesionale, me integritet dhe dinjitet. Jo për një polici që i nënshtrohet urdhrave të cilitdo politikan apo partie politike” shtoi ajo.
Ky është postimi i plotë i saj:
POLICIA E KOSOVËS
Para se të na pengojnë qasjen në institucione, ju rekomandoj Policisë së Kosovës ta lexojë Ligjin Nr. 03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, konkretisht Nenin 11 – Qasja në institucionet publike.
Neni 11, pika 1, është shumë i qartë:
“Kartela e identitetit e lëshuar për deputet garanton hyrje të lirë në të gjitha organet shtetërore dhe të administratës publike.”
Ndërsa pika 2 përcakton se organet e administratës publike janë të obliguara të sigurojnë ndihmë për deputetin në përmbushjen e mandatit të tij.
Policia e Kosovës është institucion i Republikës së Kosovës dhe duhet t’i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, e jo urdhrave politikë, nga kushdo qofshin ata.
Për 16 vjet në Kuvendin e Kosovës, kam punuar çdo ditë për një Polici profesionale, me integritet dhe dinjitet. Jo për një polici që i nënshtrohet urdhrave të cilitdo politikan apo partie politike.
Ligji është mbi politikën. Kushtetuta është mbi çdo urdhër politik.
Dhe këtë duhet ta dijë çdo zyrtar i Policisë së Kosovës.














