
Gjykata Themelore e Prishtinës e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për t’ia caktuar masën e paraburgimit 81-vjeçarit, Musli Rexhepit, i cili tentoi ta sulmonte kreun e SBASHK’ut, Rrahman Jasharajn, para dy ditësh në shkollën “Ismail Qemajli” në Prishtinë.
Në vend të masës së paraburgimit, Gjykata ia ka ndaluar Rexhepit që t’i afrohet Jasharajt në afërsi prej 500 metra në ambient të hapur dhe 50 metra në ambient të mbyllur.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Gashi ka deklaruar se kjo masë i është caktuar për një muaj.
“Gjykata e ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit. Gjykata ka vendosur masë sigurie duke ia ndaluar të pandehurit që t’i afrohet të dëmtuarit në afërsi prej 500 metra në ambient të hapur dhe 50 metra në ambient të mbyllur. Kjo masë është për një muaj”, ka thënë Gashi.











