Zëvendësministri në detyrë i Financave, Hysni Mehani, ka bërë të ditur se ka ngritur padi ndaj ish-kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, të cilin e akuzon për shpifje.
Mehani, përmes një postimi, ka deklaruar se sipas tij shpifja është “akuzë e lehtë” për Gucatin, duke përmendur edhe pretendime të tjera që, siç thotë ai, janë bërë ndaj tij.
“Po, e kam paditur për shpifje Hysni Gucatin”, ka shkruar Mehani.
Më tej, zv/ministri në detyrë ka bërë një varg akuzash ndaj Gucatit, duke thënë se ndaj tij ekzistojnë pretendime të ndryshme, prej çështjeve që lidhen me pagën si sekretar e deri te pretendimet për keqpërdorim të mjeteve të OVL-UÇK-së.
“Shpifja është akuzë e lehtë për kalibrin e Hysni Gucatit. Ndaj tij tashmë ka akuza nga më të ndryshmet, prej rrogës si sekretar e deri te futja e duarve në kacën e OVL-UÇK-së. Ka edhe plot akuza tjera ndaj tij, për të cilat u takon organeve të drejtësisë të flasin”, ka deklaruar Mehani.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si Gucati e ushtron pozitën e tij, duke thënë se do të duhej të përfaqësonte vlerat e luftës dhe të kontribuonte në bashkimin e qytetarëve rreth tyre.
Sipas Mehanit, Gucati me veprimet e tij është shndërruar në një figurë përçarëse dhe akuzon atë për afërsi me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Hysniu me pozitën që mban, do duhej të ishte simbol që përfaqëson vlerat e luftës dhe përbashkon popullin rreth atyre vlerave”, ka shkruar ai.
“Por, Hysniu me punën e tij, tregon që është një përçarës dhe servil i PDK-së”, ka shtuar Mehani.
Në fund, zv/ministri në detyrë i Financave ka thënë se padinë e ka bërë me synimin që çështja të vendoset nga gjykata.
“Andaj e kam paditur, që me vendim gjykate të marrë titullin që e meriton, shpifës dhe gënjeshtar, përveçse sekretar i munguar dhe kacë e lënë bosh”, ka shkruar Mehani.












