Kosovën sot e pret mot kryesisht me diell dhe i ngrohtë, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 33 gradë Celsius. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat e larta pritet të vazhdojnë edhe gjatë dhjetëditëshit të parë të shtatorit.
Sipas parashikimit të IHMK-së, dita e sotme do të karakterizohet nga mot kryesisht me diell dhe i ngrohtë. Vranësira të pakta deri mesatare mund të shfaqen kryesisht në zonat përreth relievit malor.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 16°C, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 29 deri në 33°C.
Era do të fryjë kryesisht nga veriu dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 4 m/s.
IHMK: Temperaturat e larta mund të sjellin ngarkesë termike
Sa i përket kushteve biometeorologjike, IHMK vlerëson se ato do të jenë përgjithësisht të favorshme. Megjithatë, gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, temperaturat e larta mund të shkaktojnë ngarkesë të lehtë termike, veçanërisht në zonat e ulëta.
Ndërkohë, kushtet agrometeorologjike pritet të jenë të favorshme për bujqësinë. Moti i ngrohtë dhe kryesisht i thatë do të ndihmojë në pjekjen dhe zhvillimin e kulturave bujqësore, por do të rrisë edhe kërkesën për ujë.
IHMK rekomandon monitorimin e lagështisë së tokës, sidomos në kulturat që ndodhen në fazat aktive të zhvillimit.
UV i lartë deri shumë i lartë
Një tjetër element për t’u pasur parasysh është rrezatimi diellor. Indeksi UV do të jetë i lartë deri shumë i lartë, në vlerat 6–8, veçanërisht gjatë orëve të mesditës.
Për këtë arsye, rekomandohet shmangia e ekspozimit të drejtpërdrejtë dhe të zgjatur ndaj rrezeve të diellit dhe përdorimi i masave mbrojtëse.
Moti i nxehtë vazhdon edhe në shtator
Sipas tendencës së publikuar nga IHMK, temperatura të larta priten edhe gjatë dhjetëditëshit të parë të shtatorit, duke sinjalizuar një fillim të ngrohtë të muajit të ri.













