Gjenerali shqiptar i Ushtrisë Kroate, Rahim Ademi, ka reaguar për vdekjen e ish-komandantit të forcave serbe në Bosnje, Ratko Mlladiç.
Ademi, me origjinë nga Kosova, i cili iu bashkua forcave kroate gjatë luftës në Kroaci, e ka kritikuar ashpër Mlladiçin, duke e cilësuar si një person që nuk kishte treguar aftësi ushtarake në përballje me forcat e armatosura.
“Mund të them se ai nuk ishte fare ushtar. Ai kurrë nuk i tregoi aftësitë e tij ushtarake në luftë. ‘Guximin’ e tregonte vetëm ndaj civilëve të pafajshëm, duke vrarë civilë dhe njerëz që ishin të paarmatosur”, ka thënë Ademi.
Rahim Ademi është gjeneral shqiptar me origjinë nga Karaçi i Vushtrrisë, i cili shërbeu në Ushtrinë Kroate dhe u bë një prej komandantëve të rëndësishëm të saj. Enciklopedia Kroate e përshkruan zyrtarisht si gjeneral të ushtrisë kroate, ndërsa burime biografike e cilësojnë me origjinë shqiptare nga Kosova.
Ademi dhe Mlladiçi u përballën në Shibenik
Në shtator të vitit 1991, gjatë Betejës së Shibenikut, forcat kroate të komanduara ndër të tjerë nga Rahim Ademi u përballën me forcat e Ushtrisë Popullore Jugosllave, të drejtuara nga Ratko Mlladiçi. Beteja përfundoi me fitore kroate.
Ademi kishte qenë më herët pjesë e JNA-së, por në vitin 1991 u largua nga ajo dhe iu bashkua forcave kroate. Më vonë u ngrit në gradën e gjeneral-majorit të Ushtrisë Kroate.














