Ish-presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, ka publikuar foto të reja të tij nga brenda një burgu amerikan në Nju Jork, rreth 8 muaj pas arrestimit të tij.
Fotot, të publikuara në llogarinë e tij personale në X, janë realizuar më 25 qershor 2026, në orën 18:05. Në pamje, Maduro shfaqet i veshur me tuta gri dhe me syze të zeza. Ai duket dukshëm i dobësuar, por buzëqesh dhe bën shenjën e fitores.
Në një postim në anglisht, Maduro falënderoi njerëzit që, sipas tij, vazhdojnë ta mbështesin.
— Nicolás Maduro (@NicolasMaduro) August 30, 2026
“Dua që ta dini se ne mbetemi të palëkundur, me zemrat tona plot me dashurinë tuaj, atë dashuri që arrin të transformohet në lutje, në veprim të pandërprerë, në solidaritet dhe mbështetje të vërtetë. Faleminderit pafund për çdo fjalë, për çdo gjest, për çdo bekim”, shkruan Maduro.
Në një postim tjetër, këtë herë në spanjisht, ish-presidenti tha se fotot ia kishte dërguar familjes së tij si një “dhuratë të vogël dashurie dhe shprese”.
“Një dhuratë e vogël dashurie dhe shprese. I dërgoj këto foto si një dhuratë të vogël për të gjithë nipërit dhe mbesat e mia, për djemtë dhe vajzat, si dhe për të gjithë njerëzit fisnikë që na duan”, shkroi ai.
Pamjet e fundit të Maduros ishin publikuar pas arrestimit të tij në janar nga forcat ushtarake amerikane, si dhe gjatë transferimit të tij në një gjykatë amerikane.
Publikimi i fotove të reja vjen ndërsa Maduro vijon të mbahet në paraburgim në SHBA.












