Zhvillim i ri ka pasuar rreth tenderit 15 milionë eurosh për furnizimin me karburante të institucioneve publike, të raportuar ditë më parë nga gazeta Nacionale.
Eksperti shqyrtues në Organin Shqyrtues rë Prokurimit, Bujar Kuçi, e ka vlerësuar të bazuar ankesën e Petrol Company dhe ka rekomanduar anulimin e njoftimit për dhënie të tenderit.
Ai ka kërkuar që çështja të kthehet në rivlerësim, pas përgjigjes së British Petroleum lidhur me një dokument të dorëzuar nga IP-KOS, vërtetësia apo origjinaliteti i të cilit është thellësisht i kontestuar.
Ndonëse raporti i ekspertit të OSHP-së, që e ka parë Nacionale, ende s’përbën vendim përfundimtar, ai është rekomandim profesional që duhet të shqyrtohet nga paneli përkatës.
Në qendër të kontestit është letra paraqitur nga IP-KOS, kompania e rekomanduar për fitimin e loteve 2, 5 dhe 7.
Dokumenti i IP-KOS përmendte BP Oil International Limited, ndërsa furnizimin e lidhte edhe me GEGA OIL SH.A., të përshkruar si “furnizues i autorizuar”.
Tenderi kërkonte garancion, autorizim ose konfirmim origjinal, të nënshkruar dhe vulosur drejtpërdrejt nga rafineria ose prodhuesi përkatës.
AQP-ja kishte sqaruar më 20 maj se nuk do të pranonte dokument nga distributori, por vetëm nga rafineria ku furnizohej operatori.
“Nuk aprovohet. Tenderuesit i kërkohet një garancion, autorizim apo konfirmim nga rafineria ku furnizoheni. Nuk pranohet nga çfarëdo distributori që nuk është rafineri.”
Pas vendimit për rekomandim, AQP-ja i ishte drejtuar BP-së për verifikimin e dokumentit, por fillimisht nuk kishte marrë përgjigje brenda afatit procedural.
Eksperti vlerëson se, në ato rrethana, mbështetja e AQP-së në dokumentacionin dhe deklarimet e operatorit mund të kuptohej për shkak të afateve.
Megjithatë, BP-ja u përgjigj më 6 gusht 2026, duke e ndryshuar ndjeshëm bazën faktike mbi të cilën ishte vlerësuar oferta.
“Faleminderit për emailin tuaj. Mund të konfirmojmë se nuk e njohim letrën e përmendur në korrespondencën tuaj dhe po ndërmarrim hapat e duhur në përgjigje ndaj kësaj.”

Kjo përgjigje, sipas ekspertit, është provë e re dhe materiale, sepse prek drejtpërdrejt autenticitetin, vlefshmërinë dhe ekzistencën e dokumentit të kontestuar.
Kuçi ka vlerësuar se deklarimi i vetë IP-KOS për autenticitetin e letrës nuk mund ta zëvendësojë konfirmimin e BP-së për dokumentin.
Pikërisht për këtë arsye, ai ka rekomanduar që njoftimi për dhënien e kontratës të anulohet dhe oferta të rivlerësohet objektivisht.
AQP-ja e kishte rekomanduar IP-KOS për këto tri lote më 21 korrik, ndërsa Petrol Company ishte njoftuar se nuk kishte çmimin më të ulët.
Petrol Company kërkoi rishqyrtim më 27 korrik, por AQP-ja e refuzoi kërkesën më 3 gusht, përpara ankesës në organin shqyrtues.
Ankesa e Petrol Company është dorëzuar në OSHP më 13 gusht, ndërsa raporti i ekspertit është përfunduar më 28 gusht.
Ekspertiza prek tri lote me vlerë të kombinuar të parashikuar prej 6.185 milionë eurosh, ndonëse aktiviteti më i gjerë kap rreth 15 milionë.
Lot 2 vlerësohej 2.71 milionë euro, Lot 5 rreth 2.17 milionë, ndërsa Lot 7 rreth 1.305 milionë euro.
Ndërkohë, Nacionale kishte raportuar se aktiviteti më i gjerë i prokurimit përfshinte pesë lote dhe kapte vlerën rreth 15 milionë euro.
Pas ankesave në OSHP, Agjencia Qendrore e Prokurimit e ka pezulluar aktivitetin për lotet 2, 4, 5, 7 dhe 9.
“Pezullohet aktiviteti i prokurimit: Furnizim me karburante me nr. 201/26300-26-2068-1-1-1 – për Lot 2, Lot 4, Lot 5, Lot 7, Lot 9”.
Raportimet e mëhershme të Nacionales kanë dëshmuar se dokumenti i paraqitur si lidhje me BP-në nuk ishte autentik dhe ishte përdorur në tender.
Formulimi i kompanisë britanike është se ajo “nuk e njeh letrën”, çka e ka shtyrë ekspertin të kërkojë rivlerësim të ofertës.













