Qumështorja “Vita” ka njoftuar fermerët dhe bashkëpunëtorët e saj se nga 1 shtatori 2026 do të pezullojë përkohësisht grumbullimin dhe pranimin e qumështit.
“Për shkak të situatës së krijuar së fundmi, si rezultat i masave dhe vendimeve të institucioneve kompetente, të cilat kanë ndikuar në prodhimin, plasimin në treg dhe eksportin e produkteve tona, kapacitetet tona për përpunimin dhe pranimin e qumështit janë kufizuar ndjeshëm”, thuhet në njoftim.
Kompania ka bërë të ditur se pezullimi do të jetë i përkohshëm dhe do të zgjasë deri në krijimin e kushteve të nevojshme ligjore dhe operative për vazhdimin normal të prodhimit.
“Me keqardhje ju njoftojmë se nga data 01 shtator 2026 do të jemi të detyruar të pezullojmë përkohësisht grumbullimin dhe pranimin e qumështit, deri në krijimin e kushteve të nevojshme ligjore dhe operative për vazhdimin normal të prodhimit”.
Vita ka theksuar se vendimi nuk paraqet vullnetin e kompanisë për të ndërprerë bashkëpunimin me fermerët, por është pasojë e situatës së krijuar. Kompania ka pranuar se pezullimi mund t’u shkaktojë vështirësi fermerëve, duke pasur parasysh se qumështi është produkt që kërkon grumbullim të vazhdueshëm.
“E dimë shumë mirë se qumështi është produkt që nuk mund të presë dhe se kjo situatë krijon vështirësi të mëdha për secilin prej jush”,.
Vita ka thënë se mbetet e përkushtuar ndaj fermerëve dhe prodhimit vendor, ndërsa ka premtuar se do t’i informojë ata për çdo zhvillim dhe për mundësinë e rifillimit të grumbullimit.
Kompania e ka cilësuar situatën si të përkohshme, duke shprehur shpresën se ajo do të tejkalohet dhe bashkëpunimi me fermerët do të vazhdojë.











