Lidhja Demokratike e Kosovës është pajtuar me Vetëvendosjen që Bekim Sejdiu të jetë kandidat konsensual për President të Kosovës.
Si pjesë e Gjykatës Kushtetuese, Sejdiu në vitin 2020 ishte gjyqtari raportues në lëndën KO95, rastin që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.
Hoti ishte zgjedhur Kryeministër i Kosovës, pasi Vetëvendosje dhe LDK e prishën koalicionin në të cilin ishte Kryeministër Albin Kurti.

E gjitha ndodhi kur Kurti shkarkoi Agim Veliun nga posti i Ministrit të Brendshëm vetëm e vetëm pse ishte pajtuar me idenë e presidentit të atëhershëm, Hashim Thaçi, për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme në kohën e pandemisë.
Asokohe, nga LDK-ja kishin thënë se arsyeja kryesore pse po prishej koalicioni ishte acarimi i raporteve nga ana e Kurtit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo ishte edhe koha kur Vjosa Osmani e la LDK-në dhe shkoi në një listë me Vetëvendosjen për t’u bërë më pas presidente.
Edhe Abdixhiku ishte një nga kundërshtarët e qeverisë së Avdullah Hotit.

Para emërimit gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka shërbyer si Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë (2008-2012). Pastaj Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork (2012-2014).
Sejdiu ka shërbyer edhe si këshilltar politik në Kabinetin e ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.













