Në një intervistë për GazetaBlic, analisti politik Arton Demhasaj ka komentuar deklaratat e gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë kandidatin e propozuar për president, Bekim Sejdiun.
Demhasaj ka thënë se deputetët kanë mandat të lirë dhe se qëndrimi i tyre është në përputhje me qëndrimet që LDK-ja ka mbajtur vazhdimisht ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
“Deputeti e ka edhe me Kushtetutë mandatin e lirë për të vepruar ashtu si mendon ai. Normalisht, nëse i kthehemi akuzave që LDK-ja i ka bërë në mënyrë të vazhdueshme ndaj Vetëvendosjes, normalisht që këta i qëndrojnë asaj kauze që në asnjë rrethanë nuk duan bashkëpunim me Vetëvendosjen. Ata e konsiderojnë që, në njëfarë mënyre, ka ndikuar në shkatërrimin e vendit dhe sidomos në raportet me miqtë ndërkombëtarë, saktësisht me SHBA-në. Kështu që qëndrimi i tyre është korrekt. Ata thjesht nuk duan bashkëpunim me Vetëvendosjen”, ka deklaruar Demhasaj.
Sa i përket mundësisë për kompromis mes partive politike, Demhasaj ka thënë se nuk sheh hapësirë për marrëveshje, duke e kritikuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Nuk ka kompromis, përderisa lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në vend që të tentojë t’i bindë deputetët që ta respektojnë marrëveshjen që e ka arritur me Vetëvendosjen, ai del, i kërcënon dhe i shantazhon deputetët e partisë së tij. Kështu që nuk ka mundësi për kompromis. Nuk ka mundësi të Vetëvendosjes as për marrëveshje me PDK-në, duke qenë se vazhdimisht e sulmon, e as me Aleancën nuk shoh ndonjë mundësi, për faktin që Vetëvendosja nuk pranon t’i plotësojë ato kushte të Aleancës. Kështu, vendi pashmangshëm po shkon në zgjedhje, ashtu siç ka dashur Albin Kurti dhe Vetëvendosja, duke qenë se zgjedhjet e vjeshtës që po vijnë, Kurti i ka paralajmëruar që në janar të këtij viti”, ka thënë ai.
Demhasaj ka folur edhe për përgjegjësinë për krizën institucionale, duke ia atribuar atë kryesisht Vetëvendosjes.
“Sigurisht që partia e parë, Vetëvendosja, e cila ka shumicën e deputetëve, e cila po e mban peng Kuvendin dhe e cila nuk po e lejon Kuvendin të konstituohet, e cila nuk po e krijon Qeverinë, e cila po e shkel Kushtetutën. Nuk ka fajtor tjetër. Andaj mendoj që deputetët e LDK-së që janë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar nga Lumir Abdixhiku dhe Albin Kurti, ka të bëjë edhe me këtë, se Kuvendi prej 7 gushtit e tutje është me shkelje të rënda kushtetuese. Një Kuvend i cili e shkel Kushtetutën, atëherë si mund të bashkëpunosh me të për të zgjedhur një president të vendit?”, ka deklaruar Demhasaj.
I pyetur se cila parti mund të ndëshkohet më së shumti nga qytetarët në rast të zgjedhjeve të reja, Demhasaj ka përmendur LDK-në dhe drejtuesit e saj.
“Ai që do të ndëshkohet më së shumti është Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri, sepse këta i harruan akuzat që i kanë bërë ndaj Vetëvendosjes dhe shkuan e ranë në kurthin e Albin Kurtit”, ka thënë ai.
Ndërsa, sa i përket mundësisë për takime të tjera mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, Demhasaj i ka konsideruar ato të panevojshme.
“Është e kotë. Lumir Abdixhiku doli në konferencë me marrëveshje pa u konsultuar me deputetët e grupit të tij parlamentar. Sot e kemi këtë pasojë. Takimet e tjera mund të ndodhin dhe Albin Kurti do ta shfrytëzojë edhe më shumë Lumir Abdixhikun, Vjosa Osmanin, Lutfi Hazirin dhe një pjesë të LDK-së që, në fushatën e zgjedhjeve të ardhshme, ta akuzojë LDK-në për shkuarjen në zgjedhje”, ka përfunduar Demhasaj.













