Ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, ka shprehur skepticizëm lidhur me rezultatet që mund të sjellë ligji i ndryshuar për Gjykatën Speciale, i cili pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se pa një marrëveshje me SHBA dhe Evropën, mundësitë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë janë të vogla.
Në një intervistë në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Murati ka thënë se deri më tani nuk ka pasur dakordim me ndërkombëtarët për këtë çështje, ndërsa ka vlerësuar se grupi punues për procesin e apelit është krijuar me vonesë dhe është dashur të themelohej që në kohën kur u krijua Gjykata Speciale.
Ai ka kritikuar mënyrën se si janë ndërtuar Dhomat e Specializuara, duke thënë se janë krijuar mekanizma që e vështirësojnë ndërhyrjen nga jashtë, përfshirë edhe mundësinë që ligjet e reja të kundërshtohen si antikushtetuese.
Duke folur për aktgjykimet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Murati e ka cilësuar procesin si një “ëndërr të keqe”, duke thënë se ato kanë lënë një njollë të përkohshme mbi luftën çlirimtare, por se në planin afatgjatë nuk dyshon që lufta e UÇK-së ishte luftë për çlirim.














