Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë takuar të mërkurën në përpjekje për tejkalimin e ngërçit politik dhe sigurimin e votave për zgjedhjen e presidentit.
Pas takimit, Abdixhiku tha se aktualisht nuk janë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, pas vendimit të gjashtë deputetëve të LDK-së për të mos e mbështetur kandidaturën e Bekim Sejdiut.
“Përpjekje do të ketë, por numrat për momentin nuk janë për të zgjedhur presidentin e vendit”, deklaroi Abdixhiku.
Në anën tjetër, Kurti, pas takimit me përfaqësuesit e komuniteteve, tha se kandidatura e Sejdiut aktualisht ka 74 vota, duke shtuar se më parë kandidatja Feride Rushiti kishte siguruar 64 vota.
“Feride Rushiti ka pasur 64, tash Bekim Sejdiu ka 74”, tha Kurti.
Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para nevojiten 80 vota, ndërsa në raundin e tretë 61 vota.
Kurti tha se do të vazhdojnë përpjekjet për shmangien e zgjedhjeve të reja, ndërsa Abdixhiku vlerësoi se situata aktualisht është në “pamundësi numerike” për zgjedhjen e presidentit.
Pas takimit Kurti-Abdixhiku, të mërkurën në orët e mbrëmjes, deklaratë për media ka dhënë vetëm kryetari i LDK-së.
Abdixhiku tha se e ka njoftuar Kurtin për zhvillimet e fundit brenda LDK-së, veçanërisht pas vendimit të gjashtë deputetëve të kësaj partie për të mos e mbështetur kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Ai e cilësoi takimin si një njoftim të rregullt ndërmjet dy liderëve politikë për zhvillimet në partitë e tyre.
“Është njoftim i rregullt pas zhvillimeve në të dy partitë. Siç e do rendi, kur kemi procese diskutuese duhet të njoftojmë zyrtarisht njëri-tjetrin për zhvillimet partiake”, ka deklaruar Abdixhiku.
I pyetur nëse do të vazhdojnë takimet me Kurtin, Abdixhiku tha se përpjekjet do të vazhdojnë, por vlerësoi se aktualisht nuk ekzistojnë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.
“Përpjekje do të ketë, por numrat për momentin nuk janë për të zgjedhur presidentin e vendit… Fatkeqësisht, me aq sa po shoh, po krijohet një situatë e pamundësisë numerike për të dalë nga kjo gjendje”, tha ai.
Abdixhiku u shpreh i hapur edhe për takime me partitë e tjera politike, duke theksuar se çështja e presidentit duhet të zgjidhet në Kuvend, ndërsa beteja politike për Qeverinë duhet të zhvillohet veçmas.
Megjithatë, ai tha se partitë e tjera deri tani janë distancuar nga përpjekjet për takime lidhur me këtë çështje.











