Një ngjarje e rëndë ndodhi mesditën e sotme në Vlorë, ku biznesmenët Luan Muça dhe Vasil Bedinaj, akuzojnë njëri tjetrin për kërcënime, gjobëvenie dhe dhunë. Ishte fillimisht një sinjal i dhënë në Policinë e Vlorës, nga Bedinaj, se persona të armatosur i kishin shkuar në biznes, duke e kërcënuar me armë.
Bedinaj bënte përgjegjës për këtë Luan Muçën, ndërsa ky i fundit, në një reagim përmes avokatit të tij, është shprehur për mediat se ka rënë pre e një kurthi të ngritur nga pronari i Regina Group.
Avokati i Muçës sqaroi se klienti i tij “nuk vë gjoba, s’ka kërkuar asnjë para nga askush por ka rënë pre e dhunës me armë teksa kishte lënë një takim sqarues me z.Bedinaj. Sqarimi lidhet me një investim në bregdetin e Jugut ku palët kanë pretendime për ligjshmërinë e dokumentacionit”.
Ndërkohë që pas ngjarjes, një makinë u aksidentua në hyrje të Vlorës, ku mbetën të lënduar dy persona. Në makinë ndodheshin gjithsej 3 persona, njëri prej të cilëve i padëmtuar, ndërsa policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë. Identitetet e personave të lënduar nuk bëhen me dije nga Policia.
Nga ana tjetër, edhe grupi i Bedinajt dyshohet se ka qëlluar me armë, ndërsa Policia e Vlorës thotë se po heton për zbardhjen e plotë të rastit, duke bashkëpunuar dhe me drejtoritë e tjera të policive vendore.
Konflikti mes Muçës dhe Bedinajt dyshohet se ka ndodhur për shkak të një prone në bregdet, ku të dy kanë interesa për të zhvilluar bizneset e tyre.
Çfarë njoftoi Policia e Vlorës
Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli.
Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Meqenëse veprimet janë dinamike, në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim të plotë për ngjarjen.












