Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetim lidhur me një incident të raportuar të hënën pasdite në parkingun e qendrës tregtare Prishtina Mall, ku janë përfshirë zyrtari policor jashtë detyrës, kapiten Besart Ahmeti, dhe dy qytetarë, njëri prej tyre i mitur.
Deri te ky suspendim i një polici me rekomandim të IPK-së ka ardhur për shkak të dyshimeve që njëri nga personat e shoqëruar, i cili dyshohet se ishte përfshirë në konflikt fizik me kapitenin Besart Ahmeti, është keqtrajtuar nga një pjesëtar i NJRSh-së pas shoqërimit për në stacion policor.
Incidenti fizik në Prishtinë: Kapiteni Besart Ahmeti po hetohet nga prokuroria për kanosje
Sipas IPK-së, incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkingun. Pas ngjarjes, personat e përfshirë janë shoqëruar në objektin policor për trajtimin e rastit.
Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare për të verifikuar rrethanat e incidentit.
Gjatë trajtimit të rastit, në IPK janë ngritur pretendime për tejkalim të autorizimeve policore nga një zyrtar tjetër policor. Njëri prej personave të përfshirë ka pretenduar se, pas shoqërimit në polici, është përdorur forcë ndaj tij nga një zyrtar policor në Stacionin Policor në Graçanicë.
Lidhur me këto pretendime, hetuesit e IPK-së janë në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent dhe, nën drejtimin e tij, kanë ndërmarrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.
Zyrtari policor i dyshuar për keqtrajtim është suspenduar me rekomandim të IPK-së, ndërsa ndaj tij hetimet po zhvillohen nën dyshimin për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Ndërkohë, hetimet ndaj qytetarëve të përfshirë do të vazhdojnë nga Policia e Kosovës, në konsultim me prokurorin kompetent, për veprën penale të sulmit.
Sa i përket zyrtarit policor me gradën e kapitenit, veprimet hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së, nën dyshimin për veprën penale të kanosjes.
IPK ka bërë të ditur se hetimi është ende në fazën fillestare dhe se të gjitha veprimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin kompetent, duke respektuar procedurat ligjore, të drejtat e palëve dhe parimin e prezumimit të pafajësisë.














