Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se 12 dhe 16 shtatori janë dy data veçanërisht të rëndësishme për partinë e tij dhe për Kosovën.
Hamza tha se PDK-ja do ta mbështesë Marshin për Drejtësi, të thirrur nga iniciativa “Liria ka Emër” më 12 shtator, duke theksuar se në Hagë po gjykohen ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Për PDK-në janë dy data tepër të rëndësishme, 12 dhe 16 shtatori. Më 12 shtator, ‘Liria ka Emër’ ka thirrur Marshin për Drejtësi, i cili i tejkalon përcaktimet politike. Në Hagë janë duke u gjykuar ushtarët e UÇK-së, ndërsa lufta e UÇK-së ka qenë luftë për liri dhe pavarësi. Ne si PDK e kemi përkrahur këtë marsh dhe do të jemi pjesë e këtij organizimi”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka folur edhe për situatën politike në vend, duke kritikuar vonesat në konstituimin e Kuvendit.
Hamza tha se gjatë diskutimeve në Grupin Parlamentar të PDK-së është konstatuar se ka pasur shkelje të Kushtetutës dhe të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, data 16 shtator lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen institucionale të Kosovës dhe nevojën për konstituimin e Kuvendit.
“Përtej 12 shtatorit, kemi 16 shtatorin, një datë tepër të rëndësishme për Kosovën. Të gjitha veprimet që ne i ndërmarrim këto ditë ndërlidhen edhe me 16 shtatorin. Jemi të bindur se në këtë kohë Kosova ka nevojë të ketë Kuvend të konstituuar. Nuk është në pyetje individi, por e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës”, është shprehur Hamza.












