Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka komentuar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku edhe sot ka dështuar procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve dhe rrjedhimisht konstituimi i plotë i Kuvendit.
I ftuar në emisionin “Kënd i Debatit” në Tëvë1, Kërçeli ka thënë se janë dy çështje kryesore që, sipas tij, kanë paraqitur problem në procesin e konstituimit të Kuvendit.
Sipas tij, çështja e parë lidhet me kandidaturën e Kujtim Shalës nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK.
“Unë mendoj se kanë qenë dy çështje problematike sa i përket konstituimit të Kuvendit. E para ishte se nga radhët e LDK-së u nominua z. Kujtim Shala, për të cilin kemi dëgjuar deklarata publike duke thënë se qytetarët e kanë votuar si deputet të LDK-së për të mos pasur bashkëpunim me Albin Kurtin”, ka deklaruar Kërçeli.
Ai ka kritikuar qëndrimin e Shalës lidhur me pjesëmarrjen në proceset e votimit në Kuvend, duke ngritur pyetjen se si mund të siguroheshin votat e deputetëve të tjerë për kandidaturën e tij.
“Kur refuzuesi refuzohet, më duket që z. Shala nuk ishte i gatshëm as të qëndronte e as të votonte. Atëherë, si mund të kërkonte votat e VV-së, nëse LDK-ja i ka 18 numra? Si mendon z. Shala t’i siguronte votat e tjera, kur ai vetë ka dhënë deklaratë se nuk dëshiron punë me Albin Kurtin?”, është shprehur ai.
Kërçeli ka përmendur si çështje të dytë deklaratën e deputetit të Listës Serbe gjatë seancës së Kuvendit, duke e cilësuar atë si shqetësuese.
“Ndërsa arsyeja tjetër, edhe shumë e rëndësishme, është deklarimi edhe nga subjektet e tjera parlamentare se deklarata e deputetit nga Lista Serbe ka qenë skandaloze, sepse dallon shumë prej atyre që sot kanë qarkulluar në rrjetet sociale”, ka thënë Kërçeli.
Sipas tij, deklarata e deputetit serb në vitin 2021 ka qenë ndryshe nga ajo e bërë gjatë seancës së vitit 2026.
“Këtu duhet të bëjmë një dallim. Në vitin 2021, deputeti i cili e ka përfaqësuar Listën Serbe ka filluar duke e falënderuar kryesuesin e Kuvendit dhe ka thënë se, në emër të Listës Serbe, për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e popullit serb… Ndërsa kjo e vitit 2026 është shumë më e rrezikshme”, ka deklaruar ai.
Kërçeli ka ngritur shqetësimin se përdorimi i termit “populli serb” pa një përcaktim të qartë mund të krijojë paqartësi lidhur me atë se kujt i referohet kjo shprehje.
“Ne e shohim një incizim që ka dashur të na ndodhë në Republikën e Kosovës, kur shohim dje që krejt populli serb del dhe e pret në funeral një kriminel siç ka qenë Ratko Mlladiqi, dhe kur sot del përfaqësuesi i Listës Serbe duke mos përmendur askund ‘Lista Serbe’, por ‘në emër të popullit serb’ – cilit popull serb? Popullit serb të Serbisë apo popullit serb të Republikës Srpska?”, ka thënë Kërçeli.
Ai ka shtuar se, sipas tij, institucionet e Kosovës nuk duhet të lejojnë që Kuvendi të përdoret për agjenda politike që lidhen me Serbinë apo me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Këta nuk do ta lejojmë. Kurse, për këto deklarata që janë shpërndarë në rrjete sociale, të cilat janë shkëputur dhe prerë, dua të jap një shpjegim. Termi ‘popull’ si sinonim i komunitetit mund të përdoret, mirëpo Kushtetuta e ka caktuar se si duhet të përdoret dhe kur duhet të përdoret”, ka deklaruar Kërçeli.
Deklaratat e Kërçelit vijnë në një kohë kur Kuvendi i Kosovës vazhdon të përballet me vështirësi në përmbylljen e procesit të konstituimit.













