Në Gjykatën Themelore në Prishtinë Departamenti Special po vazhdon gjykimi ndaj Naim Sahitit, Ariton Sahitit, Begzat Sahitit, Shkëlzen Sahitit dhe Jeton Fetahut, të akuzuar për fajde, shpëlarje parash dhe vepra të tjera penale.
Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari ka treguar para trupit gjykues kryesuar nga Gjyqtari Kujtim Krasniqi për shumat që pretendon se është detyruar t’i paguajë, duke deklaruar se këstet i janë rritur nga 50 mijë në 70 mijë euro.
“M’u rritën këstet nga 50 mijë në 70 mijë euro. E dinin se nuk kisha para, por ma shkruan edhe një shumë prej 50 mijë eurosh”, deklaroi ai.
Dëshmitari tha se pagesat dhe shumat e pretenduara i ka të evidentuara në dokumente, ndërsa një pjesë të transfereve i ka kryer përmes bankës.
“Njëherë 70 mijë euro e pastaj 50 mijë euro. Krejt i kam të shkruara në letër dhe transferet i kam bërë përmes bankës”, tha dëshmitari.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2024 nga Prokuroria Speciale, Naim dhe Ariton Sahiti akuzohen se gjatë viteve 2020–2022, në Gjilan, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve, kanë kontraktuar përfitime dukshëm joproporcionale në këmbim të parave të dhëna me fajde.
Prokuroria pretendon se njërit prej të dëmtuarve fillimisht i janë dhënë 20 mijë euro me interes mujor prej 20 për qind. Pasi ai dyshohet se nuk kishte mundësi ta paguante shumën, pretendohet se iu dhanë edhe 30 mijë euro me të njëjtin interes.
Sipas aktakuzës, interesi arriti fillimisht në 10 mijë euro në muaj, ndërsa më vonë në 16 mijë e 800 euro. Prokuroria pretendon se pagesat bëheshin edhe përmes llogarive bankare, në formën e pagave.
Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit dyshohet se iu morën tri shtëpi, një banesë dhe dy vetura. Dëmi fillestar ndaj tij pretendohet të ketë arritur në 366 mijë euro, ndërsa pas kthimit të dy shtëpive, dëmi i mbetur llogaritet në 251 mijë euro.
Në një pikë tjetër, Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë kryer transaksione në vlerë prej rreth 2.9 milionë eurosh dhe kanë përdorur kontrata të dyshuara si fiktive për shitblerjen e pronave. Me urdhër të gjykatës janë ngrirë edhe 16 parcela.
Naim dhe Ariton Sahiti akuzohen për fajde, shpëlarje parash dhe kanosje. Begzat Sahiti akuzohet për ndihmë në shpëlarje parash, ndërsa Shkëlzen Sahiti dhe Jeton Fetahu për pengim të të provuarit apo procedurës zyrtare.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u vihen në barrë./Sinjali
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














