Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur poshtë akuzat për trafikim organesh të ngritura pas raportit të Dick Marty-t, duke i cilësuar hetimet si një justifikim për themelimin e Gjykatës Speciale.
Thaçi tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është hetuar dhe gjykuar më shumë se çdo palë tjetër e konfliktit në ish-Jugosllavi, ndërsa sipas tij, ajo ka bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare.
“Hetimet rreth akuzave të Dick Marty-t për gjoja trafikim organesh nuk çuan as gjëkundi. Ato ishin thjesht një justifikim për themelimin e kësaj gjykate”, tha Thaçi.
Ai theksoi se për gati gjashtë vjet, sipas tij, janë ricikluar akuza që janë trajtuar për dekada nga institucione të ndryshme të drejtësisë.
“UÇK-ja është më e hetuara dhe më e gjykuara nga të gjitha palët ndërluftuese në territorin e ish-Jugosllavisë. Në anën tjetër, ajo ishte më bashkëpunuesja me drejtësinë ndërkombëtare nga të gjithë. Diçka nuk përputhet këtu”, u shpreh ai në një intervistë nga Haga për emisionin “Top Story”.
Duke folur për luftën në Kosovë, Thaçi tha se represioni dhe masakrat e forcave serbe ishin shkaku i masivizimit të UÇK-së, të cilën e përshkroi si një reagim vetëmbrojtës.
“Serbia e nisi luftën. Kosova u mbrojt nga shfarosja”, deklaroi Thaçi, duke iu referuar edhe masakrave të shkurtit dhe marsit të vitit 1998 në Drenicë.
Ish-presidenti foli edhe për kthimin e tij në Kosovë nga Perëndimi gjatë kohës së luftës.
“U ktheva në Kosovë nga Perëndimi, atëherë kur jo pak njerëz mendonin se Kosova po jepte shpirt. U ktheva për t’iu bashkuar rezistencës shqiptare”, tha ai.
Thaçi shtoi se aktiviteti i tij gjatë asaj periudhe, sipas tij, ka qenë transparent për qytetarët e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë.













