“Hashim Thaçi është i pafajshëm, kjo është pikënisja juaj kur të filloni kuvendimet për marrjen e vendimit!”
Kjo ka qenë deklarata e fuqishme e Luka Mishetiq, kryembrojtësit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, para shtatë muajsh në Hagë.
11 shkurti ishte dita e ekipit mbrojtës të Thaçit, për prezantimin e deklaratës përmbyllëse para trupit gjykues.
Mishetiq ishte fort i ashpër ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Trupit gjykues, ai i tha se e sheh problematik faktin që në gjithë dosjen e ZPS-së, janë shpërfillur të gjitha provat, të cilat diskretitojnë provat dhe pretendimet e saj.
Faktet e tyre, ai i quajti si film pa parë hiç filmin.
“Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin”.
Shpallja e Thaçit fajtor, do të përbëntë padrejtësi ligjore dhe historike, kishte thënë Mishetiq.
“ZPS po iu kërkon juve që pavarësisht se presidenti serb i një shteti të organizuar nuk ka pasur përgjegjësi penale për krimet masive të luftës dhe krimet kundër njerëzimit për shkak se nuk ka pasur kontroll efektiv, duke u bazuar në këtë deduksion iu duhet të konkludoni që udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës dhe UÇK-së, një grup i armatosur joshtetëror që kishte ekzistuar vetëm prej disa muajsh, ka pasur kontroll efektiv dhe ka marr penalisht përgjegjës. Ky rezultat do të jetë një padrejtësi ligjore dhe historike.
Argumentet e ZPS-së nuk përbëjnë interpretimin e arsyeshëm të vetëm të provave, që është standardi që duhet arritur që ju të rishkruani historinë e Kosovës, në këtë rast për ta shpallur fajtor Hashim Thaçin. Ka dyshime të bazuara të mjaftueshme për ju që ta shpallni atë jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”.
Mishetiq ka qenë i qartë se nuk ka prova sa i përket pikës së dosjes, se ka ekzistuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale, me qëllim të marrjes nën kontroll të vendit.
“Nuk ka pasur prova të takimeve ku është diskutuar ky synim, dokumente shkresore që të tregohet se është rënë dakord apo është diskutuar ky synim, nuk ka dhënë dëshmi asnjë dëshmitar lidhur me ekzistencën e këtij synimi. Në fakt, secili prej dëshmitareve që e ka pasur mundësinë të flasë për këtë çështje, e ka hedhur poshtë teorinë e ZPS-së, dhe për më keq, ZPS-ja nuk i ka bërë pyetje asnjë dëshmitari”.
Ndryshe, kanë mbetur më pak se 48 orë deri te vendimi i madh ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Kosova po pret vetëm një verdikt, lirimin e tyre.












