Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e ka cilësuar një moment të keq për Kosovën, Ballkanin dhe Evropën vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burg.
Walker tha se procesi, sipas tij, është karakterizuar nga “keqmenaxhimi i drejtësisë” që nga fillimi. Ai shprehu gjithashtu zhgënjimin e tij me Bashkimin Evropian, duke pretenduar se është krijuar një qasje që vendos në të njëjtën peshore krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në një prononcim për A2 CNN, Walker ngriti edhe çështjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke pyetur pse ai nuk është thirrur për të dëshmuar në Hagë.
“Jam shumë i mërzitur me BE-në që, për arsyet e veta politike, ka dashur të vërë shenjën e barazimit për ato gjëra të tmerrshme që janë bërë nga qeveria e Serbisë, përfshirë edhe Vuçiqin”, tha Walker.
Ai shtoi se nuk e kupton pse Vuçiqi nuk është marrë në pyetje apo thirrur për të dëshmuar para Dhomave të Specializuara.
“Pse nuk është marrë ai nga Zyra e Prokurorisë Speciale, ose të thirret në Hagë për të dëshmuar? Nuk e di pse BE-ja ka bërë bashkë një trupë gjykues për të akuzuar shqiptarët”, u shpreh Walker.
Duke iu referuar presidentit serb, Walker tha se Vuçiqi “ende kryen ritet” që, sipas tij, i ka kryer gjatë kohës kur ishte ministër i Informacionit në qeverinë e Slobodan Millosheviçit.
“Nëse kthehem te Vuçiqi, nga Beogradi ai ende kryen ritet që ka bërë si ministër i propagandës në kohën e Millosheviçit. Prandaj jam shumë i zhgënjyer me BE-në, duke bërë një përqasje me paragjykim për të gjetur përgjegjësinë e tmerreve që ka shumë për të fajësuar”, tha Walker.













