Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur sot aktakuzë ndaj personit me inicialet R.K., nën dyshimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik dhe falsifikim të dokumenteve.
Insajderi ka raportuar se bëhet fjalë për Resmi Kocën, pronar dhe përfaqësues të kompanisë A.R.F. SH.P.K., që ka lidhur një numër kontratash me institucione të ndryshme publike.
Sipas aktakuzës, Koca dyshohet se gjatë një procedure tenderuese të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë për furnizim me libra të protokollit, ka paraqitur dokumente të rremë në kuadër të ofertës së kompanisë së tij.
Prokuroria pretendon se në këtë procedurë janë përdorur CV-ja, kontrata e punës dhe certifikata universitare në emër të një personi tjetër, pa dijeninë e tij. Po ashtu, Koca dyshohet se ka falsifikuar një kontratë pune dhe më pas e ka paraqitur atë si dokument origjinal në procedurën e prokurimit.
Në aktakuzë është përfshirë edhe personi juridik, A.R.F. SH.P.K., për të cilin prokuroria pretendon se ka përdorur dokumentacion të rremë me qëllim që të ndikojë në vendimmarrjen e autoritetit kontraktues dhe të përfitojë kontratën.
Prokurorja e rastit ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas dispozitave përkatëse ligjore.
Tenderi i Spitalit të Pejës që u bë objekt i hetimit
Rasti që tashmë ka përfunduar me aktakuzë lidhet me një procedurë të zhvilluar nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë për tenderin “Furnizim me libra të protokollit”.
Më 25 qershor 2025, Spitali i Përgjithshëm i Pejës kishte njoftuar se kompania A.R.F. SH.P.K. nuk ishte përzgjedhur për këtë tender.
Në arsyetimin e institucionit shëndetësor thuhej se, përmes letrës standarde për sqarimin e tenderit, të datës 16 qershor 2025, operatorit ekonomik i ishin kërkuar sqarime lidhur me dëshmitë për stafin profesional të kualifikuar.
Konkretisht, Spitali kishte kërkuar dëshmi për “një dizajner të dizajnit grafik me përvojë pune 3 vite pas diplomimit”.

A.R.F. SH.P.K. nuk kishte kthyer përgjigje ndaj kërkesës për sqarim të autoritetit kontraktues.
Ky tender tashmë është pjesë e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, e cila pretendon se në kuadër të ofertës janë përdorur dokumente të falsifikuara.
Kompania tenderuese e rregullt në institucione
Sipas të dhënave të e-prokurimit A.R.F. SH.P.K. figuron si përfituese e një sërë kontratash me institucione publike gjatë vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026.
Në mesin e institucioneve me të cilat kompania ka lidhur kontrata janë Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, Policia e Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Dogana e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Arkivi i Kosovës, Agjencia Qendrore e Prokurimit dhe institucione të tjera.
Një nga kontratat me vlerën më të lartë në listën e siguruar është ajo e lidhur me Policinë e Kosovës për “Furnizim me material shpenzues për hetimin në vendin e ngjarjes”.
Kjo kontratë kornizë, e lidhur më 1 shtator 2025, ka vlerë prej 85 mijë e 555 eurosh.
Me Ministrinë e Drejtësisë, A.R.F. SH.P.K. ka lidhur kontratë kornizë për “Furnizim me material shtypës për Ministrinë e Drejtësisë dhe njësitë e saj”, në vlerë prej 48 mijë e 888 eurosh.
Ndërkaq, me Këshillin Prokurorial të Kosovës kompania figuron me dy kontrata. Njëra është për furnizim me materiale promocionale zyrtare të dizajnuara dhe të shtypura për nevojat e sistemit prokurorial, me vlerë prej 44 mijë e 444 eurosh.
Tjetra është kontrata për furnizim, mirëmbajtje dhe funksionalizim të vulave për nevojat e sistemit prokurorial, në vlerë prej 15 mijë e 555 eurosh.

Në dokumentet e prokurimit, një pjesë e konsiderueshme e këtyre kontratave figurojnë me statusin “Në realizim”.
Ndërkohë, ndaj pronarit të kompanisë, Resmi Koca, është ngritur aktakuzë për një procedurë tjetër prokurimi, ku prokuroria pretendon se janë përdorur dokumente të falsifikuara për të plotësuar kriteret e tenderit.













