Klestor Veseli, djali i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar përmes disa postimeve në Instagram, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, në aktgjykimin e shkallës së parë të shpallur më 16 shtator.
Në shkrimin e tij, Klestor Veseli përshkruan orët para dhe gjatë shpalljes së vendimit, duke treguar se kishte kaluar natën para aktgjykimit pranë familjarëve të tij.
“Natën e 15 Shtatorit, ja arrita të fle gjumë, por jo të pushoj. Atë natë kisha shkuar të shoh axhallarët e mi, të përqafoheshim fort dhe të mundoheshim t’ja japim një farë force e kurajo përballë asaj që na priste nesër”, ka shkruar ai.
Ai thotë se, pavarësisht optimizmit, familja ishte përgatitur për çdo skenar.
“Ne ishim optimist dhe pozitiv, por refuzoja ta lëja asgjë nën dorë të rastësisë, doja të ishim të përgatitur për gjithçka, duke konsideruar historinë e popullit tonë, e të individëve si Adem Jashari, i cili mbajti padrejtësisht 28 vjet burg në burgjet e Jugosllavisë, 1 vit më shumë se Nelson Mandela simbol botëror i lirisë dhe rezistencës”, thuhet në postimin e tij.
Klestor Veseli ka rrëfyer edhe momentet e mëngjesit të 16 shtatorit, teksa ishte nisur drejt Gjykatës Speciale në Hagë.
“Një natë më herët i kisha kërkuar hotelit të arazhoj një taksi që të na dërgonte në drejtim të Gjykatës. Në mëngjes, gjatë rrugës po shihja jashtë dritares së automjetit makinat e ndryshme me tabela të huaja, por që ishin shqiptarë tanë”, ka shkruar Veseli.



















