
Ulje të pagës prej 30% për një periudhë prej 4 muajsh do të kenë dy gjyqtaret e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Tatijana Virijevic dhe Dragica Jakovljevic, pasi që të dyja kishin marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Një vendim të tillë KGJK e ka marrë me 23 qershor 2022 pasi kishte aprovuar marrëveshjen vullnetare për pranim të fajësisë të lidhur mes dy gjyqtareve dhe panelit hetimor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në vendimin e KGJK-së thuhet se dy gjyqtaret kanë kryer shkelje disiplinore me pjesëmarrjen e tyre në takimin me presidentin Vuçiq.
“Për panelin hetimor ka qenë e pakontestueshme se subjektet e hetimit me këtë rast Tatijana Virijevic dhe Dragica Jakovljevic, kanë kryer shkelje disiplinore me pjesëmarrjen e tyre në takimin e datës 22.03.2022, me ftesë të presidentit te Republikës së Serbisë”, thuhet në këtë vendim.











