Bajrami: Kosova s’ka kohë për kriza politike, presidenti të zgjidhet sa më shpejt për të mbrojtur krerët e UÇK-sëShare Button Gazeta Blic Profesori universitar Arsim Bajrami apeloi për tejkalim të shpejtë të bllokadës politike në Kosovë, duke thënë se vendi nuk ka më kohë për kriza apo vakume institucionale në këtë moment.Duke folur për vendimin e fundit të Gjykatës Speciale në Hagë, Bajrami theksoi se asgjë nuk është më e rëndësishme aktualisht sesa bashkimi i radhëve për t’iu kundërvënë këtij aktgjykimi. Sipas tij, kjo kërkon një zgjidhje të shpejtë edhe të çështjes së presidentit të ri.
Bajrami shprehu shpresën që posti i presidentit të plotësohet brenda javës së ardhshme dhe paralajmëroi kundër shkuarjes në zgjedhje të reja, të cilën e cilësoi të dëmshme për vendin. Sipas tij, një proces zgjedhor prej disa muajsh do ta pengonte përpjekjen për t’u ardhur në ndihmë krerëve të UÇK-së dhe ekipeve të tyre mbrojtëse.Bajrami apeloi që zgjedhja e presidentit të kryhet sa më shpejt, duke theksuar se presidenti i ardhshëm do të ketë një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e së vërtetës, në mbrojtjen e krerëve të UÇK-së, si dhe në argumentimin e rrugës së drejtë të shtetndërtimit të Kosovës.
“Nuk ka Kosova më kohë për kriza politike. Nuk ka më Kosova për vakume politike. Asnjë gjë nuk është më e rëndësishme sesa rreshtimi në kundërvënien e këtij aktgjykimi. Edhe për këtë arsye, unë uroj që menjëherë të zgjidhet presidenti javën e ardhshme, vendi të mos shkojë në zgjedhje, sepse shkuarja në zgjedhje i dëmton më së shumti procesin se si t’u ndihmojmë ne krerëve të UÇK-së dhe ekipeve të tilla mbrojtëse në qoftë se ne edhe tre muaj pastaj përfshihemi në një proces të zgjedhjeve. Kështu që apeloj edhe nga kjo studio që sa më shpejt të kompletohet, sepse edhe presidenti i ardhshëm do të ketë një rol shumë të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm në pasqyrimin e të vërtetës, në mbrojtjen e krerëve të UÇK-së, por edhe në argumentimin e komplet rrugës së drejtë të shtetndërtimit”, tha ai.













