Një nga themeluesit e UÇK-së, Bardhyl Mahmuti, ka kritikuar aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në emisionin “Java” në Kanal10, Mahmuti ka thënë se miqtë dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët, sipas tij, kanë dhënë shumë për Kosovën, po mbahen padrejtësisht.
Ai ka komentuar edhe pjesët e aktgjykimit ku përmendet ekzistenca e një “qëllimi të përbashkët kriminal”, duke argumentuar se përgjegjësia individuale, sipas tij, është zbehur përmes këtij koncepti.Mahmuti ka thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë dënuar për akte konkrete individuale, por për kontributin që kanë dhënë gjatë luftës.
Sipas tij, në aktgjykim UÇK-së i atribuohen edhe qëllime që lidhen me pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit në një territor të caktuar.
Mahmuti e ka kundërshtuar këtë interpretim, duke thënë se është paradoksale që lufta për çlirimin e Kosovës dhe synimi për pavarësi të trajtohen në kuadër të një ndërmarrjeje kriminale.
“Do të thonë se kanë pasur qëllim të krijojnë një shtet të pavarur si qëllim kriminal. Kjo nuk është e rastësishme. Kjo është përgatitje e terrenit për të mohuar legjitimitetin dhe ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë”, ka deklaruar Mahmuti./Gazeta10













