Penthouse prej 324 metrash katrorë i ndërtuar përtej lejes, 730.67 metra katrorë sipërfaqe e tejkaluar dhe një përfitim i llogaritur mbi 716 mijë euro – këto janë disa nga pretendimet e Prokurorisë Themelore në Prizren në aktakuzën e ngritur ndaj katër personave për një objekt në Suharekë.
Në mesin e të akuzuarve është edhe Nuhi Bytyçi, vjehrri i deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyçi.
Sipas aktakuzës, drejtori i Drejtorisë së Inspekcioneve, Agim Demiri, dhe inspektori i ndërtimtarisë, Hafir Maliqaj, akuzohen se në bashkëkryerje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, duke i mundësuar Bytyçit ndërtimin e objektit përtej kushteve të lejes ndërtimore.
“Andaj, konsideroj se në veprimet e të pandehurve Hafir Maliqaj dhe Agim Demiri janë formuar të gjitha elementet esenciale të veprës penale në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 3 pika 3.2 e lidhur me par.1 dhe me nenin 31 të KPRK-së, i pandehuri Nuhi Bytyçi për shkak të veprës penale ‘Ndërtimi pa leje’ nga neni 359 par. 2 i KPRK-së dhe të pandehurit Abdurrahim Hasani për shkak të veprës penale ‘Punimet e kundërligjshme ndërtimore’ nga neni 360 parag.1 i KPRK-së, për të cilën janë përgjegjës në aspektin penalo juridik dhe i propozoj gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtor për këtë vepër penale dhe t’i shqiptoj dënimet e parapara me ligj, e të propozuara nga ana e Prokurorit të Shtetit”, thuhet në dosjen që e ka siguruar Insajderi.
Sipas pretendimit të Prokurorisë, “të akuzuarit Hafir Maliqaj dhe Agim Demiri, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për personin tjetër”, thuhet në dosje.
Zyrtarët komunalë, sipas aktakuzës, kishin nxjerrë vendim për ndërprerjen e punimeve pa leje që në mars të vitit 2022.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, vendimi nuk ishte zbatuar siç kërkohej.
“Nuk kanë verifikuar respektimin e vendimit deri më 08.06.2022, ku me rastin e kontrollit përsëri kanë hartuar procesverbalin në të cilin kanë pasqyruar gjendjen jo reale, me ç’rast kanë konstatuar se investitori është duke ndërtuar objektin sipas lejes ndërtimore”, thuhet në dosje që e ka parë Insajderi.
Çfarë thotë Prokuroria për vjehrrin e deputetes?
Sipas përshkrimit të rastit në aktakuzë, Nuhi Bytyçi kishte nisur ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen Slloxha të Suharekës para se të pajisej me leje ndërtimore. Objekti ndodhet në dy parcela kadastrale, ndërsa dokumentacioni teknik ishte përgatitur nga kompania “Bashkimi Projekt” SH.P.K., në pronësi të Abdurrahim Hasanit.
Më 7 mars 2022, sipas Prokurorisë, inspektori Hafir Maliqaj dhe drejtori i Inspekcionit, Agim Demiri, kishin dalë në terren dhe kishin konstatuar se Bytyçi po zhvillonte punime pa leje ndërtimore.
Në atë kohë, sipas aktakuzës, punimet kishin arritur në fazën e hapjes së bodrumit, ndërsa ishte realizuar edhe betonimi i tij. Inspektorët kishin konstatuar se punimet po kryheshin nga kompania “Bashkimi Projekt” dhe kishin urdhëruar investitorin që menjëherë t’i ndërpriste punimet dhe të pajisej me leje ndërtimore.
Më 13 mars 2022, Agim Demiri, në cilësinë e inspektorit kujdestar, kishte marrë edhe vendim për ndërprerjen dhe konservimin e objektit. Sipas aktakuzës, në këtë rast ishte konstatuar se objekti po ndërtohej pa leje dhe se investitori nuk e kishte zbatuar vendimin paraprak për ndërprerjen e punimeve.
Objekti ishte konservuar me shirita zyrtarë dhe investitori ishte paralajmëruar se vazhdimi i punimeve pa leje do të sillte masa të tjera ligjore.
Pas pajisjes me leje, Prokuroria thotë se nuk pati inspektim për gati dy muaj
Sipas aktakuzës, Nuhi Bytyçi është pajisur me leje ndërtimore më 28 prill 2022, pas së cilës punimet kanë vazhduar.
Megjithatë, Prokuroria pretendon se nga momenti i pajisjes me leje e deri më 8 qershor 2022, Agim Demiri dhe Hafir Maliqaj nuk kanë kryer inspektim tjetër të objektit.
Në këtë periudhë, sipas aktakuzës, zyrtarët nuk kanë ndërmarrë veprime për të verifikuar nëse shiritat e vendosur në objekt ishin hequr në mënyrë të rregullt apo nëse investitori po i zbatonte kushtet e lejes së re ndërtimore.
Inspektimi i radhës është bërë më 8 qershor 2022, ndërsa procesverbali është përpiluar më 15 qershor.
Në atë procesverbal, sipas Prokurorisë, zyrtarët kanë konstatuar se objekti po ndërtohej me etazhitet B+P+2, se punimet e vrazhda kishin përfunduar dhe se po vazhdohej me punimet e pullazit.
Mirëpo, Prokuroria pretendon se gjendja reale në terren ishte ndryshe.
Prokuroria: E panë katin e tretë, por nuk e shënuan në procesverbal
Sipas aktakuzës, në momentin e inspektimit objekti ishte në fakt i ndërtuar me etazhitet B+P+3, pra kishte një kat më shumë sesa lejohej me lejen ndërtimore.
Prokuroria pretendon se Agim Demiri dhe Hafir Maliqaj e kishin parë katin e tretë, por këtë nuk e kishin evidentuar në procesverbalin e inspektimit.
Sipas dosjes, në vend të konstatimit zyrtar për tejkalimin e lejes, investitorit Nuhi Bytyçi vetëm i ishte tërhequr vërejtja me fjalët:
“Nuk ke bërë mirë që e ke ndërtuar edhe një kat”.
Më 15 qershor 2022, zyrtarët kishin nxjerrë edhe një vendim tjetër, përmes të cilit e urdhëronin Bytyçin që të ndërpriste punimet dhe të dorëzonte matjet gjeodezike për gabaritin dhe katshmërinë e objektit.
Sipas Prokurorisë, edhe pse Bytyçi nuk i kishte përmbushur këto obligime brenda afatit, zyrtarët kishin iniciuar vetëm procedurë kundërvajtëse në Gjykatën Themelore në Prizren – Dega në Suharekë.
Prokuroria pretendon se ata nuk kishin ndërmarrë hapa të tjerë që i konsideron në kompetencën e tyre, përfshirë paraqitjen e kallëzimit penal ndaj investitorit dhe punëkryerësit, si dhe urdhërimin për rrënim vullnetar ose kthimin e objektit në gjendjen e mëparshme.
Sipas aktakuzës, kjo situatë i ka mundësuar Nuhi Bytyçit që të përfundojë punimet dhe të realizojë ndërtim më të madh në aspektin e katshmërisë dhe gabaritit sesa ai i lejuar, duke i sjellë, sipas Prokurorisë, dobi pasurore në vlerë prej 716,512.50 eurosh.
Fotografi e marrë nga portali Tandem Press – objekti i vjehrrit të deputetes

Nga ekspertiza e realizuar nga ekspertët e arkitekturës dhe gjeodezisë për nevojat e hetimit, ka rezultuar se investitori Nuhi Bytyçi ka ndërtuar pa leje një sipërfaqe totale prej 730.67 metrash katrorë.
Kjo sipërfaqe përfshin katin e tretë, “penthouse”, me 324.34 metra katrorë ndërtim të tërhequr, si dhe 99.36 metra katrorë tejkalim me kulme të rrafshëta.
Po ashtu, sipas ekspertizës, janë evidentuar tejkalime prej 57.34 metra katrorë dhe 39.59 metra katrorë në katet e parë dhe të dytë, si dhe një tejkalim prej 218.36 metra katrorë në përdhesë, e destinuar për veprimtari afariste.
Pjesë e kësaj aktakuze është edhe Abdurrahim Hasani, pronar i kompanisë ndërtimore “Bashkimi Projekt”.
Për të, Prokuroria pretendon se ka pasur rol në projektimin dhe ekzekutimin e punimeve ndërtimore.
“I akuzuari Abdurrahim Hasani, në cilësinë e personit përgjegjës për projektimin dhe ekzekutimin e punimeve ndërtimore, ka kryer punimet në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit”, thuhet në aktakuzë.
Përfitimi llogaritet në mbi 716 mijë euro
Sipas vlerësimit të tregut të përfshirë në dosje, hapësira afariste në përdhesë, me sipërfaqe prej 218.36 metra katrorë, është vlerësuar me 1,500 euro për metër katror, apo 327,540 euro në total.
Ndërsa hapësirat e banimit në katet e tjera, me sipërfaqe totale prej 518.63 metra katrorë, janë vlerësuar me 750 euro për metër katror, apo 388,972.50 euro.
Në total, sipas ekspertizës, dobia pasurore e llogaritur arrin në 716,512.50 euro.
Ndërkohë, sipas aktakuzës, Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm edhe nga mospagimi i taksave përkatëse për lejen e ndërtimit.
Në analizën e provave dhe dëshmive, Prokuroria thotë se Hafir Maliqaj dhe Agim Demiri e kishin kuptuar që në mars të vitit 2022 se në objektin e Nuhi Bytyçit po zhvilloheshin punime në kundërshtim me lejen ndërtimore.
Sipas aktakuzës, më 7 mars 2022, gjatë inspektimit, zyrtarët kishin konstatuar se investitori po zhvillonte punime pa leje ndërtimore, ndërsa punimet po kryheshin nga firma “Bashkimi Projekt”, në pronësi të Abdurrahim Hasanit.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, nga marsi deri në qershor të atij viti nuk është kryer një inspektim tjetër për të verifikuar respektimin e urdhrave të dhënë.
Prokuroria pretendon se, kur zyrtarët e inspektuan objektin më 8 qershor 2022, punimet e vrazhda tashmë kishin përfunduar dhe në terren kanë parë se objekti kishte tejkaluar lejen ndërtimore, si në katshmëri, ashtu edhe në sipërfaqe dhe gabarit.
Megjithatë, sipas aktakuzës, ky tejkalim nuk është evidentuar në procesverbal.
“Edhe pse në terren kanë hasur në objektin i cili është ndërtuar në tejkalim të lejes ndërtimore sa i përket katshmërisë dhe sipërfaqes – gabaritit, të njëjtit në procesverbal nuk kanë bërë ndonjë konstatim të tillë, por vetëm ia kanë tërhequr vërejtjen investitorit se nuk ka bërë mirë që e ka ndërtuar edhe një kat”, thuhet në analizën e provave të Prokurorisë.
Sipas dosjes, këtë e mbështet edhe deklarata e vetë Nuhi Bytyçit, si dhe procesverbali i inspektimit të datës 15 qershor 2022, për kontrollin e kryer më 8 qershor.
Prokuroria thotë se pikërisht mosinspektimi për disa muaj dhe mos evidentimi i gjendjes reale në procesverbal u kanë mundësuar investitorit dhe kompanisë zbatuese që të vazhdonin ndërtimin jashtë kushteve të përcaktuara me lejen ndërtimore.
Në analizën e saj, Prokuroria arrin në përfundimin se Nuhi Bytyçi, ndonëse ishte i pajisur me leje për objektin B+P+2, e ka tejkaluar atë për një kat dhe ka ndërtuar jashtë vijave ndërtimore, duke realizuar 730.67 metra katrorë më shumë se sa ishte paraparë me leje.
Ndërkaq, për Abdurrahim Hasanin, Prokuroria thotë se, si person përgjegjës i kompanisë “Bashkimi Projekt”, ka kryer punimet e “Pent House”-it dhe ka dalë jashtë vijave ndërtimore, edhe pse, sipas saj, ka ditur se për këto punime kërkohej leje ndërtimore.
Në fund të analizës së provave, Prokuroria pretendon se këto veprime i kanë mundësuar Nuhi Bytyçit përfitim pasuror në vlerë prej 716,512.50 eurosh.
Sa u përket zyrtarëve komunalë, Prokuroria pretendon se ata kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejtë, duke u bazuar, ndër të tjera, në faktin se kishin parë tejkalimin e lejes dhe nuk e kishin evidentuar atë në procesverbal.
Për këto veprime, Prokuroria i akuzon Hafir Maliqajn dhe Agim Demirin për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, Nuhi Bytyçin për “Ndërtim pa leje”, ndërsa Abdurrahim Hasanin për “Punime të kundërligjshme ndërtimore”.
Në aktakuzë, Prokuroria kërkon që gjykata t’i shpallë fajtorë të akuzuarit dhe t’u shqiptojë dënimet e parapara me ligj.
Për këtë rast, Insajderi i ka dërguar pyetje edhe deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyçi, duke kërkuar qëndrimin e saj lidhur me aktakuzën, ku përmendet edhe vjehrri i saj, Nuhi Bytyçi.
Deri në publikimin e këtij artikulli, deputetja Bytyçi nuk ka kthyer përgjigje ndaj pyetjeve të Insajderit.













