Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me një marrëveshje politike për zgjedhjen e kandidatit për një post institucional.
Hoti thotë se marrëveshjet mes kryetarëve të partive nuk mund të detyrojnë deputetët e Kuvendit, duke theksuar se mandati i tyre buron nga Kushtetuta.
Ai shprehet se LDK-ja është e gatshme të votojë një kandidat nga radhët e saj, ndërsa, sipas tij, në mungesë të një dakordimi, alternativa duhet të jenë zgjedhjet e reja.
Postimi i plotë:
Si mund të thirret dikush në një marrëveshje kur vetë personi i përfshirë në atë marrëveshje është tërhequr nga kandidatura?!
Një dakordim mes dy kryetarëve të partive nuk mund të shndërrohet në urdhër për deputetët e Kuvendit.
Kushtetuta është shumë e qartë: deputetët, si përfaqësues të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi.
Marrëveshjet politike mund të ndryshohen. Ne jemi gati të votojmë një kandidat nga Lidhja Demokratike të Kosovës, sepse vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve. Ne zgjedhim “zgjedhjet e reja” në vend të nënshtrimit politik.
Marrëveshjet politike mund të negociohen, por jo Kushtetuta e Kosovës.














