KDI (Kosova Democratic Institute) ka shprehur shqetësimin lidhur me Komisionin për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës i cili sipas tyre nisi punën në shkelje të dispozitave të Rregullores së Punës së Kuvendit.
Sipas komunikatës për media, KDI thotë se Komisioni për Legjislacion nisi punën me shqyrtimin dhe votimin në parim të pakos së projektligjeve për reformën në drejtësi e cili sipas tyre është në shkelje të dispozitave të Rregullores së Punës së Kuvendit.
KDI thotë se neni 34 (4) i Rregullores përcakton se përveç rasteve të veçanta, mbledhja e komisionit thirret së paku tri ditë pune para mbajtjes së saj.
“Në rastin e sotëm, deputetët kanë pranuar pakon e projektligjeve dhe materialet përcjellëse prej qindra faqesh mbrëmë, ndërsa janë ftuar që sot t’i diskutojnë dhe votojnë ato në parim. Për këtë procedim të përshpejtuar nuk është dhënë paraprakisht ndonjë arsyetim”, thuhet në komunikatë.
Tutje, KDI arsyeton se Rregullorja parasheh në nenin 74 (1) që leximi i parë në seancë plenare mbahet vetëm ‘ pasi të kenë kaluar dy javë nga shpërndarja e projektligjeve tek deputetët’.
Kujtojmë se sot në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ka kaluar Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe pesë projektligjet që përbëjnë Pakon e Reformës në Drejtësi.














