Berisha bëri të ditur se në mbledhje mungonte një anëtar nga Lista Serbe, por kjo, sipas tij, nuk e pengoi funksionimin e komisionit.
“Ishim në Komision për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kuorum kishte në mungesë të një personi nga Lista Serbe. Edhe do të vazhdojmë punën, po patëm reagim nga deputetët e PDK-së ashtu qysh e shpjeguan ata. Kjo çështje nuk është veç e një partie, është e të gjithëve”, tha Berisha.
Ai u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit që të angazhohen për funksionalizimin e institucioneve dhe tejkalimin e situatës së krijuar politike.
“Edhe i kisha lutë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, me dhanë kontributin e vet më së pari që ne të stabilizohemi e të kemi komisione të rregullta, po edhe të kemi parlament e të mund të debatojmë”, u shpreh ai.
Berisha paralajmëroi se vendi ndodhet në një situatë të ndërlikuar politike dhe se mungesa e komunikimit ndërmjet subjekteve politike mund të çojë edhe një herë në zgjedhje.
“Duhet me ditë që jemi me afat edhe 4-5 ditë, domethënë kemi mandat nëse nuk shkojmë në zgjedhje. Sikur jemi mësu, domethënë jemi që tri herë tu shku në zgjedhje, ka mundësi që shkojmë prapë për shkak të moskomunikimit të mirëfilltë, për shkak të mosinteresimit, për shkak se po na marrin, domethënë temat edhe gjërat po na shtyjnë përpara e pa rolin shumë të deputetëve”, tha ai.
Sipas tij, përgjegjësia për gjetjen e një zgjidhjeje bie mbi deputetët e Kuvendit.
“Edhe çdo deputet e ka për detyrë, e ka për obligim, sepse nuk ka tjetër kush këtu pos deputetëve të të gjitha partive politike për me kallëzu qysh me dalë na prej këtij ngërçi e prej kësaj nyje”, theksoi Berisha.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Berisha tha se situata në Kosovë ka ndryshuar dhe se, sipas tij, çështja duhet të trajtohet në një kuadër më të gjerë.
“Kosova më nuk është e njëjtë prej datës 16, prej asaj që ka ndodhë. Nuk ka të bëjë këtu as veç me një organizatë, as me katër ose me gjashtë individë, ka të bëjë me fatin e Kosovës”, deklaroi ai.
Berisha kërkoi që institucionet vendore të marrin përgjegjësinë për gjetjen e një zgjidhjeje, duke thënë se deputetët duhet të kenë rol më të madh në tejkalimin e situatës.
“Edhe këtu tash na duhet me u ulë edhe duhet me ja nisë me këqyrë qysh me dalë me zgjidhje. Nuk mundet me pru kush zgjedhje për neve, se duhet na tash me ja nisë”, tha Berisha.
Ai kujtoi edhe periudha kur, sipas tij, vendimmarrja politike në Kosovë ndikohej nga qëndrimet e ambasadave, duke kërkuar që tash përgjegjësinë ta marrin institucionet vendore.
“E mbaj mend një kohë, veç në ambasada na kallzonin çka me ba. Tani do të tjerë i mahnitëshin krejt ambasadat. Po tash na duhet me marrë rolin deputetët e Kuvendit të Kosovës, sepse nuk ka nevojë me ardhur kush, askush sot nuk u mor kush me çështjet tona. Kjo është gjendje e rëndë”, u shpreh ai.
Në fund, Berisha u bëri thirrje deputetëve të të gjitha partive politike që të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë për tejkalimin e ngërçit institucional.
“I kisha lutë me ardhur me komunikuar ndërveti, me pa sinqeritet më së pari, po edhe atdhedashuri, se kjo është e para, edhe nuk ka problem që nuk mundemi me zgjidhë bashkë”, përfundoi Berisha./RTK













